Kryeministri Edi Rama e nisi mëngjesin e sotëm me një urim të veçantë në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me një shembull frymëzimi nga të rinjtë shkodranë.
Në statusin e tij në Facebook, Rama uroi qytetarët për një fundjavë të mbarë, duke theksuar aksionin e madh të pastrimit të bregdetit të Velipojës, ku morën pjesë mbi 800 nxënës e studentë.
“Mirëmëngjes, dhe me këtë shembull frymëzimi nga 800 nxënës e studentë që morën pjesë në pastrimin e bregdetit të Velipojës, ju uroj një fundjavë të mbarë,” shkroi kryeministri, duke e cilësuar nismën si një mesazh të fuqishëm ndërgjegjësimi për mbrojtjen e natyrës.
Kujtojmë se një ditë më parë, mbi 800 të rinj shkodranë zbritën në terren përgjatë vijës bregdetare të Velipojës, e cila prej javësh ishte pushtuar nga mbetjet e sjella nga prurjet e lumenjve dhe përrenjve.
Aksioni u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, i organizuar nga Qendra Rinore Atelie me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.
Pas ndërhyrjes së Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, të rinjtë vijuan pastrimin e plazhit duke e kthyer nismën në një mesazh ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit.
Aktiviteti pritet të pasohet nga nisma të tjera, duke përcjellë vetëdijësim, model dhe frymë komunitare.