Megjithëse organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) në Maqedoninë e Veriut vijojnë të funksionojnë në një mjedis përgjithësisht të favorshëm, hapësira e tyre për veprim është ngushtuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Kështu vlerësohet në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin, i cili nënvizon se, pavarësisht disa përparimeve institucionale, mbetet shumë për t’u bërë për të garantuar një përfshirje të qëndrueshme dhe transparente të sektorit civil në proceset vendimmarrëse, shkruan Portalb.mk.
Një ndër zhvillimet pozitive të evidentuara në raport është riaktivizimi i Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, pas vendimit të qeverisë në mars për emërimin e anëtarëve të tij. Në korrik 2025, qeveria miratoi gjithashtu Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2025–2028, duke shënuar një hap përpara në drejtim të institucionalizimit të dialogut me OJQ-të.
“Zbatimi në kohë i masave të strategjisë është vendimtar, sidomos ato që lidhen me reformimin e legjislacionit për shoqatat dhe fondacionet, zhvillimin e sipërmarrjes sociale, përmirësimin e sistemit të donacioneve dhe sponsorizimeve, standardizimin e financimit shtetëror dhe krijimin e një fondi garancie për bashkëfinancimin e projekteve të BE-së”, thuhet në Raport.
Po ashtu, po aty, kërkohet ndërtimi i një modeli të qartë për përfshirjen strukturore të shoqërisë civile në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2026.
“Pjesëmarrja e OJQ-ve në Këshillin Kombëtar për Integrimin në BE dhe në Këshillin për Partneritetin për Qeverisje të Hapur mbetet e kufizuar dhe duhet të forcohet dukshëm. Përveç kësaj, mbetet një nevojë urgjente për të krijuar një qasje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në përfshirjen e OJQ-ve në proceset e politikëbërjes në nivel kombëtar dhe lokal, si dhe për të ndërtuar besim dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve dhe sektorit civil”, thuhet tutje në raport.
Raporti i BE-së i bën thirrje qeverisë së Maqedonisë së Veriut të rrisë përpjekjet për përfshirjen aktive të shoqërisë civile në të gjitha fushat prioritare dhe proceset e konsultimit publik. Po ashtu, kërkohet miratimi i ndryshimeve ligjore dhe financiare që do të garantonin një sistem të qëndrueshëm dhe transparent të financimit publik për OJQ-të, i cili deri më tani ende nuk është realizuar.
Kujtojmë se, më 4 nëntor u publikua Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në.
LEXO: U publikua Raporti i progresit për RMV-në: Asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, miratimi i Kodit të ri Penal në krye të kërkesave
Organizata Joqeveritare (OJQ)
Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë
Share FacebookWhatsApp