Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për pesëmujorin e parë të vitit 2026 reflekton një ecuri pozitive të mbledhjes së të ardhurave publike, të cilat kanë tejkaluar parashikimet zyrtare, ndërkohë që shpenzimet e përgjithshme kanë mbetur nën tavanin e planifikuar.
Të dhënat theksojnë një rritje prej 11.2% të të ardhurave totale krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, çka përkthehet në rreth 34.3 miliardë lekë më shumë në arkën e shtetit.
“Të ardhurat totale, për periudhën Janar-Maj 2026, arritën në rreth 340.5 miliardë lekë ose me realizim 105.3 % të planit të periudhës.”, njofton Ministria e Financave
Kontributi i administratës tatimore dhe doganore
Sipas njoftimit për shtyp, të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat arritën në shumën 215.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 12.1 miliardë lekë (ose 5.9%) krahasuar me një vit më parë, si dhe një tejkalim të planit pesëmujor me 1.9%.
“Të ardhurat tatimore (që përfshijnë TVSH-në neto në vend, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale dhe taksat nacionale) arritën në 120.3 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 5.1%. TVSH neto u realizua në shumën 35.8 miliardë lekë (117.2% e planit). Gjatë kësaj periudhe u dhanë 6 miliardë lekë rimbursime. Tatimi mbi të ardhurat personale shënoi një nga rritjet më të forta me 40.2 miliardë lekë, rreth 18.1% më shumë se pesëmujori i vitit 2025 dhe 15.8% mbi planin. Tatimi mbi fitimin u arkëtuan 26.6 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 86% të planit.Taksat nacionale arritën në 17.6 miliardë lekë, rreth 96.9% e planit.”, njofton Ministria e Financave.
Të ardhurat e mbledhura nga doganat (TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 95.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2.7% ndaj vitit 2025, por me një realizim në masën 98.2% ndaj planit të periudhës:
TVSH në import: 64.2 miliardë lekë (99.5% e planit).
Akciza: 26.3 miliardë lekë (96.3% e planit).
Taksa doganore: 4 miliardë lekë (95.1% e planit).
Renta minerare në eksport: 732 milionë lekë, me një realizim të ulët prej rreth 78% kundrejt planit.
“Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH periudhën Janar-Maj 2026, u realizuan në shumën 82.9 miliardë lekë nga 80.7 miliardë lekë që ishin planifikuar. Pra, 9.4 miliardë lekë ose 12.8% më shumë se pesëmujori 2025.”
Ecuria e shpenzimeve publike
Paralelisht me rritjen e të ardhurave, buxheti ka regjistruar një realizim të përmbajtur të fondeve të planifikuara për dalje.
“Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën Janar-Maj 2026, arritën në rreth 286.8 miliardë lekë, me një realizim në masën 96.8% të planit të periudhës.”
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ky zë ka rezultuar 7.4% më i lartë (19.7 miliardë lekë më shumë). Ndarja e shpenzimeve paraqitet si më poshtë: shpenzimet korente arritën në 260.9 miliardë lekë, një rritje prej 7.2% nga viti i kaluar, duke u realizuar në masën 96.2% të planit; shpenzimet kapitale (Investimet) kapën vlerën e 25.9 miliardë lekëve.
Kjo kategori shënoi një rritje prej 9.4% (2.2 miliardë lekë) ndaj një viti më parë, si dhe një tejkalim të planit të periudhës në masën 103%.