Tema e lojtarëve me dy nënshtetësi ka filluar të diskutohet gjerësisht kohët e fundit në Zvicër. Leon Avdullahu braktisi Zvicrën për Kosovën, ndërsa Eman Kospo ka zgjedhur Bosnjën. Nga ana tjetër, Adrian Bajrami ka braktisur Shqipërinë pasi synon të luajë për helvetët.
Përgjegjësi i ekipeve kombëtare të Zvicrës, Pierluixhi Tami, ka shpjeguar për mediat zvicerane se çdo lojtar duhet fillimisht ta meritojë vendin në ekipin përfaqësues, të përballet dhe të jetë i përgatitur për konkurrencën, e sigurisht ta ndjejë.
“Pyetja është nëse mund apo duhej bërë diçka më shumë, deri ku mund të shtynim veten? Ne kemi disa kritere shumë të thjeshta dhe të qartë që të luash me përfaqësuesen. Përndryshe është e drejtë që çdokush të marrë rrugën e vet dhe e respektojmë. Unë e nis nga parimi që një lojtar duhet ta meritojë ftesën në ekipin madhor, duhet të identifikohet dhe të tregojë gëzim që të luajë në këtë skuadër dhe të dijë edhe të presë, nëse duhet pritur. Konkurrenca, në rastin që citove (Avdullahu) në mesfushë është shumë e fortë. Sot për të ftuar një lojtar si Avdullahu duhej të lije në shtëpi dike si Sou apo Aebisher, janë lojtarë titullarë në Serinë A, jo prej një muaji, por prej vitesh.
Ne jemi të sinqertë me këta lojtarë që kanë nënshtetësi të dyfishtë ku dera është e hapur, por duhet të kenë durimin dhe të besojnë te vlera e tyre se mund të arrijnë këtë nivel. Nëse nuk janë këto kushte, bëhet e vështirë sepse ne nuk bëjmë si parim lojën e pistë për të grumbulluar lojtarë që t’i vendosim të luajnë 10 minuta kështu që janë të bllokuar dhe problemi zgjidhet. Do ishte e gabuar ndaj këtyre lojtarëve, por sidomos do të ishte e gabuar ndaj të gjithë lojtarëve të tjerë dhe tifozëve tanë. Ne duam lojtarë që duan të luajnë me ne.
Kur ti nuk identifikohesh në një skuadër, nuk mund të jesh një lojtar i fortë. Ti që të mund të jesh një lojtar i fortë, duhet të ndjehesh mirë në ekipin që luan, duhet ta ndjesh e duash në këmbë, në zemër e kokë. Nëse një lojtar bën një lloj tjetër zgjedhje, e respektojmë, por do të thotë që nuk ishte një lojtar për ekipin tonë”, u shpreh Tami për “RSI”.