Reagimesh erdhën sot pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, i cili sugjeronte rishikimin e shumicës së Badenterit prë shkak të siç është shprehur ai, keqpërdorimit tët kësaj kategorie kushtetuese. Mirëpo, kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur sot për këtë çështje tha se Marrëveshja e Ohrit është përbushur dhe se kjo është temë e kryer dhe e mbyllur. Edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai në një reagim siguroi se Badinteri nuk mund të preket, transmeton Portalb.mk.
“Marrëveshja e Ohrit është përmbushur plotësisht dhe është mbyllur dhe kjo është temë e kryer dhe e mbyllur. Ajo që përfaqësonte problem thelbësor dhe institucional dhe ajo ishte balancuesi, siç e dini, ne kemi bërë ligj, ligji për përfaqësim të drejtë, I cili krahas përkatësisë etnike do të ketë komponentë e cila do të vlerësoj sipas kualitetit, kompetencës e kështu me radhë”, deklaroi Mickoski.
“Ky mekanizëm garanton barazinë, bashkëjetesën dhe paqen në vendin tonë, duke siguruar që vendimet kryesore të reflektojnë vullnetin e dy komuniteteve më të mëdha”, shkroi Fetai në Facebook.
Ai shtoi se pa mbështetjen e deputetëve shqiptarë, çdo iniciativë për ndryshimin e Badinterit është juridikisht e pamundur, dhe se diskutimet në këtë drejtim janë vetëm diversion nga prioritetet reale të vendit.
“Fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë hapësirë po u jepet forcave politike dhe aktorëve politikë që kanë ide të rrezikshme, që mendojnë se shtetet multietnike janë jofunksionale dhe që janë avokatë të shteteve thjesht etnike. Një qeveri nuk mund të formohet pa legjitimitet etnik dhe kjo është situata me të cilën po përballemi tani, ku nuk ka Badinter dhe ka politikanë që kanë teza të rrezikshme për të shkelur mbi sistemin, Marrëveshjen e Ohrit dhe të gjithë sistemin që vendosëm me një marrëveshje në vitin 2001 për të ndërtuar një atdhe të barabartë dhe të përbashkët”, deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Paraprakisht Bujar Osmani tha se “Me këtë u konfirmua se plani për demontimin e Marrëveshjes së Ohrit po realizohet hap pas hapi“.
Revista Fokus, ka realizuar intervistë me Filkovin ku ai edhe e ka shprehur idenë për rishikimin e Badenterit. Titulli shkruan: “Shumica e Badenterit po keqpërdoret, ndoshta është koha të rishikohet”.
Çfarë thotë saktësisht Filkov në intervistë , i cili është anëtar i partisë Për Maqedoninë Tonë – ZNAM të Maksim Dimitrievskit, ende nuk është botuar online. Megjithatë, sipas titullit, mund të supozohet se rasti për intervistën dhe pozicioni i ministrit i treguar në titull vijnë pas mosvotimit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit, të mbajtur të shtunën.
Kujtojmë se, të shtunën Kuvendi mbajti një seancë në të cilën pika e rendit të ditës ishin ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Qëllimi ishte të rregullohej numri i nënshkrimeve që kandidatët e pavarur duhet të mbledhin për të qenë në gjendje të marrin pjesë në zgjedhje.
Me 67 vota “pro”, 18 “kundër” dhe asnjë abstenim, deputetët, gjatë votimit të parë, votuan për këto ndryshime.
Megjithatë, ato nuk e kaluan votimin sipas parimit të Badinterit, sepse 11 nga deputetët nga komunitetet jo-shumicë votuan “pro” dhe 18 ishin “kundër”.
Ndryshimet, në fakt, nuk kaluan sepse nuk morën mbështetjen e BDI-së opozitare dhe koalicionit që kjo parti udhëheq në parlament.
Deputetët nga “Fronti Evropian” thanë në seancë se nuk ishin konsultuar për amendamentet e propozuara, të cilat zakonisht miratohen me konsensus, duke shtuar se zgjidhja ligjore shkel të drejtat e popullsisë jo-rezidente në vend, pra të emigrantëve, të cilët, siç thanë ata, janë kryesisht shqiptarë.
Kolegu i partisë së ministrit Filkov, koordinatori i grupit parlamentar të ZNAM, Boban Karapejovski, iu përgjigj kësaj, duke thënë se ai ende mban të njëjtin mendim nga katër vjet më parë se numri i nënshkrimeve për listat e pavarura nuk duhet të rritet.
Për më tepër, ai tha se ajo që do të ndodhë është, siç tha ai, një ide jashtëzakonisht fisnike e quajtur shumica e Badenterit, domethënë që dikush të mos mund ta mazhorizojë dikë tjetër që nuk është shumicë në shtet, të abuzohet.
Kryeministri Hristijan Mickoski komentoi gjithashtu dështimin për të votuar për amendamentet në Kodin Zgjedhor, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.
“Pas njëzet vitesh, BDI është në opozitë dhe është e qartë se po përballet me probleme të mëdha, prandaj po përpiqen me disa truke të ushtrojnë presion mbi ta që të jenë përsëri pjesë e Qeverisë”, tha kryeministri.
Përndryshe, për ata që janë më pak të informuar, shumica e dyfishtë ose e ashtuquajtura Badenter është një kategori kushtetuese që hyri në aktin më të lartë juridik të shtetit me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001.
Sipas këtij parimi, kur vendoset për ligjet që ndikojnë drejtpërdrejt në kulturë, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale, përdorimin e simboleve, duhet të ketë shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm të parlamentit që u përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Për vendime të caktuara, kërkohet shumica e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të parlamentit nga komunitetet jo-shumicë ose i ashtuquajturi badenter (kuorum) i madh.