Një plan i ri për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, i hartuar nga zyrtarë amerikanë dhe rusë, është refuzuar si “absurd” dhe i papranueshëm nga autoritetet në Kiev, gjatë bisedimeve mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe një delegacioni të lartë të ushtrisë amerikane.
Sipas zyrtarëve ukrainas, propozimi, i përgatitur nga Kirill Dmitriev, aleat i ngushtë i Vladimir Putinit, dhe Steve Witkoff, i dërguar i posaçëm i Donald Trump, shihet si një “provokim” që synon të krijojë përçarje dhe të “çorientojë” aleatët e Ukrainës, , raporton theguardian.
“Nuk ka asnjë shenjë që Kremlini të jetë gati për negociata serioze. Putini përpiqet të fitojë kohë dhe të shmangë sanksionet amerikane”, deklaroi Oleksandr Merezhko, kryetar i komisionit parlamentar të politikës së jashtme të Ukrainës, duke e cilësuar Dmitrievin si “askush”.
Zelensky pranon draftin e një plani paqeje – do ta diskutojë me Trumpin
Zëvendësministri i parë i Jashtëm, Sergiy Kyslytsya, e përshkroi nismën si jorealiste dhe sugjeroi se mund të jetë një operacion klasik propagandistik në stil sovjetik, për të ndikuar opinionin publik dhe për të përhapur panik.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë mbërritur në Ukrainë për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, njoftoi ushtria amerikane.
Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, zhvilloi bisedime me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko, dhe pritet të takohet më vonë me presidentin Zelensky.
Sipas raportimeve, amerikanët dhe rusët kanë hartuar në heshtje një plan për të ndalur luftën në Ukrainë. Sipas këtij plani, Kievit do t’i kërkohet dorëzimi i territoreve dhe kufizimi i madhësisë së ushtrisë ukrainase.