Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit solli reagimet e krerëve më të lartë të shtetit, politikës dhe institucioneve të drejtësisë.  “Një atentat makabër”, e cilësoi presidenti i Bajram Begaj, i cili tha se ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar dhe ndaj drejtësisë duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë.

 

“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja . Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale”, shkroi Begaj.

Reagim pati edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili i ka shprehur ngushëllimet familjes së gjyqtarit, ndërsa për autorin kërkon ndëshkimin maksimal. Kryeministri thekson se siguria nëpër gjykata duhet të forcohet, ndërsa po ashtu nuk la pa përmendur as ashpërsimin e Kodit Penal për armëmbajtjen pa leje.

 

“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit”, shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

 

Për ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit, ndërsa thekson se nga policia janë angazhuar ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen.

Opozita nga ana e saj dënuan ngjarjen e rëndë dhe shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi vrasjen si një akt të shëmtuar kriminal dhe dëshmi të qartë të pasigurisë dhe kontrollit të rendit nga krimi. Presidenti i PL-së Ilir Meta shkroi se vrasja e Kalasë është një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.

Për sekretarin e përgjithshëm të partisë së Lirisë, Tedi Blushi, sot krimi nuk vepron më në hije, por godet në dritë të diellit dhe vret brenda sallave të drejtësisë.  Ndërsa kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci solli në vëmendje se ky bir i Shkodrës në çdo detyrë që mbajti, u veçua për integritetin, përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin i shërbeu drejtësisë.

Reagim pati edhe nga prezenca e OSBE-së në Tiranë, e cila theksoi se sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Vrasja e në krye të detyrës së gjyqtarit Astrit Kalaja solli edhe reagime nga bota e drejtësisë në vend. Në reagimin e saj Gjykata e Lartë shprehet se kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e cilësoi ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe sulm direkt ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike. SPAK kërkoi rritje të sigurisë për të gjithë punonjësit e drejtësisë.

Në deklaratën e Gjykatës së Apelit thuhet se ngjarja imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore dhe theksohet se është e rëndësishme ndalimi i gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë.

Në fund të reagimit, Gjykata e Apelit nënvizon se pavarësisht tronditjes nga kjo ngjarje e rëndë, dtrejtësia nuk do të trembet.

 

Vrasja e gjyqtarit, Prokuroria e Përgjithshme: Të kryhet hetim i shpejtë dhe i plotë për ngjarjen

1759781181_prokuroriaepergjithshme.jpg

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke thënë se ka cënuar funksionimin e shtetit ligjor.

Në reagimin për mediat, Prokuroria e Përgjithshme informon se ka kërkuar hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes nga Prokuroria e Tiranës:

Reagim i Prokurorit të Përgjithshëm:

Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor.

Prokurori i Përgjithshëm i përcjell ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha aspektet.

Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

 

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja: Vendi në shok nga vrasja gjakftohtë brenda në sallën e gjyqit

 

1759780085_afp68e3fda39d261759772067.ëebp
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm gjatë një seance gjyqësore nga Elvis Shkëmbi ka bërë jehonë edhe në mediat kryesore ndërkombëtare.

 

“Vendi në shok nga vrasja gjakftohtë brenda në sallën e gjyqit”,- është titulli i medias greke Protothema, e cila shkruan për ngjarjen tronditëse të ndodhur në Tiranë.

“Gjyqtari u vra me armë zjarri në sallën e gjyqit në Shqipëri, ndërsa autori u arrestua pasi tentoi të arratisej”,- është titulli i medias ndërkombëtare Asocciated Press.

 
 
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata Kushtetuese: Nderojmë kujtimin e një magjistrati që i ka shërbyer me përkushtim e dinjitet drejtësisë
 
1758883887_gjykatakushtetuese.jpg
Gjykata Kushtetuese ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm gjatë një seance gjyqësore sot, nga Elvis Shkambi.

 

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja.

Gjykata përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij, duke nderuar kujtimin e një magjistrati që i ka shërbyer me përkushtim e dinjitet drejtësisë.

Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetem per individin, por edhe per vete parimet e drejtesise dhe shtetin e së drejtës.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se mbrojtja e së drejtës së jetës, sigurisë fizike dhe institucionale te gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi ne këto gjykata dhe e publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm. Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë, e pavarësisë së saj dhe e besimit të publikut tek institucionet shteterore.

Në këto momente të dhimbshme, Gjykata Kushtetuese qëndron pranë familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë atyre që po përballen me këtë humbje, duke riafirmuar vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin e gjyqësorit si shtyllë themelore e rendit kushtetues. Gjykata Kushtetuese uron gjithashtu shërim të shpejtë për dy qytetarët e plagosur”,- shprehet Kushtetuesja.

 

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagon Gjykata e Apelit: Drejtësia nuk do të trembet

 

1759773952_IMG0639.ëebp
Gjykata e Apelit të Juridksionit të Përgjithshëm ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit të saj, Astrit Kalaja, sot në sallën e gjyqit gjatë një seance, nga Elvis Shkambi.

 

Në deklaratën e Gjykatës së Apelit thuhet se ngjarja imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore dhe theksohet se është e rëndësishme ndalimi i gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë.

Në fund të reagimit, Gjykata e Apelit nënvizon se pavarësisht tronditjes nga kjo ngjarje e rëndë, dtrejtësia nuk do të trembet.

“Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit.

Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.

Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë.

Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut.

Njëkohësisht, bëjmë apel për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.

Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.

Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi”,- thuhet në reagim.

 

Vrasja e gjyqtarit, GJKKO: Goditje e rëndë dhe kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit

 
 
1757926565_gjkko.jpg
 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të gjykatës.

Përmes një reagimi publik, GJKKO thotë se ngjarja është goditje e rëndë për sistemin e drejtësisë, si dhe kërcënim serioz për pavarësinë e gjyqësorit.Reagimi i GJKKO:  

 

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpreh me dhimbje dhe indinjatë të thellë reagimin ndaj ngjarjes tragjike të ndodhur sot, ku humbi jetën në mënyrë të dhunshme gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja. Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë me familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja. Humbja e një përfaqësuesi të drejtësisë në mënyrë të tillë është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin gjyqësor dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë.

Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre personale është jo vetëm një detyrim institucional, por një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik dhe sundimit të ligjit. Ky akt kriminal është një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të funksionit të magjistratit dhe besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës. Askush që mban mbi supe përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur.

 

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Vrasja e gjyqtarit Kalaja, në kufijtë e aktit terrorist

1759758771_astritkalaja.jpg

 

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë e konsideron të rëndë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që siç shprehet kjo shoqatë, është në kufijtë e aktit terrorist.

Kjo shoqatë evidenton gjithashtu edhe gjuhën e urrejtjes ndaj gjyqtarëve që ka ndikuar në polarizimin e klimës.

Reagimi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë shpreh hidhërimin e madh dhe revoltën e thellë për ngjarjen tragjike dhe tepër të rëndë që ndodhi sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Me këtë rast, ajo i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Një veprim i tillë barbar, në kufijtë e aktit terrorist, tregon pasigurinë e madhe në të cilën gjyqtarët e republikës duhet të punojnë dhe mungesën tërësore të infrastrukturës në një nga gjykatat më të rëndësishme të vendit, sikurse në shumë tjera. Në të njëjtën kohë ajo është një këmbanë alarmi për polarizimin e thellë të shoqërisë, që ushqehet nga arroganca e segmenteve të ndryshëm politikë ndaj pushtetit gjyqësor dhe balta mediatike e hedhur mbi ta nga portale të caktuara online.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë jep mbështetjen e pakursyer për të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm por jo vetëm, duke i inkurajuar për të vazhduar të paepur misionin e tyre fisnik të dhënies së drejtësisë, pavarësisht tronditjes për humbjen e kolegut të shtrenjtë gjatë ushtrimit të detyrës.

Një ngjarje e tillë na bën të kuptojmë se gjuha e urrejtjes ndaj pushtetit gjyqësor në përgjithësi dhe  gjyqtarëve në veçanti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme. Autorët e akteve të tillë monstruozë mund të arrestohen, por nxitësit e pëçmimit dhe dhunës ndaj gjyqësorit janë organizatorët e vërtetë të tyre. Le të shërbejë kjo ngjarje si një paralajmërim për të giithë institucionet shtetërore për të kuptuar gjendjen mjerane të sigurisë në gjykata dhe vulnerabilitetine e jetës së gjyqtarëve.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Reagon Avokati i Popullit: Ngjarja më e paprecedentë, alarm për shtetin ligjor

 

1759773090_aaa.JPG

 

Një reagim ka ardhur pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në sallën e gjyqit, ku u qëllua me armë gjyqtari Astrit Kalaja. Në reagim thuhet se është nevojë urgjente reflektimi dhe përgjegjësia institucionale, ndërsa ngjarja është cilësuar si më e paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare.

‘Një gjyqtar, përfaqësues i pushtetit të drejtësisë, u vra sot brenda sallës së gjyqit teksa jepte vendimin. Kjo është një nga ngjarjet më të paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare dhe një alarm i rëndë për shtetin ligjor, për sigurinë publike dhe për shoqërinë tonë.

Avokati i Popullit shpreh tronditjen e thellë për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe në të njëjtën kohë, ngre me forcë nevojën urgjente për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në çdo hallkë që ka detyrimin të garantojë jetën dhe integritetin e atyre që i shërbejnë drejtësisë.

Përtej vetë veprimit kriminal të ndodhur sot, kjo ngjarje e rëndë na detyron të kthejmë vështrimin tek rrënjët e një sistemi të mbingarkuar ndër vite, me vakanca të theksuara dhe me një ngarkesë që e ka penguar të funksionojë me eficiencë jo vetëm në raport me pritshmëritë e qytetarëve, por shpesh edhe nën standardet e periudhës para reformës në drejtësi.

Po aq shqetësuese mbetet kultura e munguar ligjore që shpesh e sheh gjykatën si armik, jo si garanci të së drejtës dhe diskursi publik që, në vend të argumentit dhe respektit ndaj ligjit, ushqen mosbesimin, përbuzjen dhe agresionin. Në këtë klimë, drejtësia është e pambrojtur, dhe me të — e pambrojtur mbetet edhe vetë shoqëria. Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë!

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon KLGJ: Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës

 

1759772498_images1.jpeg
Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot me datë 06.10.2025 për të mbajtur qëndrimin publik lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, nga Elvis Shkambi.

 

“Me dhimbje të thellë Këshilli i Lartë Gjyqësor mësoi për ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe thekson se çdo akt që sulmon, apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton  gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim.

Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik.

Cënimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.

Dënojmë me forcë një akt të tillë kriminal, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes, denigrimin e figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.

Në këto momente dhimbjeje kolektive ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët, të afërmit e viktimës dhe kolegët.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar në këtë ditë të vështirë, nga të gjitha institucionet, subjektet dhe individët që shfaqën publikisht respektin e tyre ndaj gjyqësorit”,- shprehet KLGJ.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Delegacioni i BE në Shqipëri: Akt kriminal, të rritet siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sallat e gjyqit

 

1759771762_aa.JPG
Pas vrasjes së gjyqtari të Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, ka ardhur edhe një reagim nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

 

Në një reagim të bërë, delegacioni e ka cilësuar si një akt të rëndë kriminal vrasjen e gjyqtarit, ndërsa theskohet se Shqipëria duhet që të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sallat e gjyqeve.

‘Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë. Ne e dënojmë me forcë këtë akt kriminal. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja.

Kjo tragjedi nënvizon nevojën e ngutshme që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit. Bashkimi Evropian mbetet i palëkundur në mbështetjen e konsolidimit të reformës në drejtësi dhe të forcimit të sundimit të ligjit në vend’, thuhet ne reagim.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon ILD: Të angazhohemi në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë

 

1758188443_ild.jpg
Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore të mbajtur ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm mnë Tiranë, nga Elvis Shkambi.

 

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh tronditjen e thellë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe plagosja e dy qytetarëve nga të shtënat me armë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit e këtij akti kaq të rëndë.

Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.

Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë. Ne institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çdo instancë shtetërore ligjzbatuese duhet të angazhohemi pa humbur kohë në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë, që ushtron detyrën në emër të ligjit.

Duke shprehur solidaritetin me trupën gjyqësore, inkurajoj çdo gjyqtar e çdo prokuror, që përtej ngjarjes së rëndë, të vazhdojë detyrën duke zbatuar ligjin”,- thuhet në reagimin e ILD.

 

SPAK reagon për vrasjen e gjyqtarit: Akt i rëndë, të rritet siguria në gjykata dhe punonjësit e drejtësisë

 

1759406298_1759389476spak.webp

 

Prokuroria e Posaçme ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja në krye të detyrës dhe plagosje e dy qytetarëve të tjerë.

SPAK ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të vrarë, teksa e konsideron aktin e rëndë si një nevojë emergjente për të rritur sigurinë nëpër gjykata.

Po kështu SPAK kërkon rritje të sigurisë edhe për të gjithë punonjësit e drejtësisë.

“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm. Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës. Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”, thuhet në reagimin e SPAK.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Meta: Akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues

 

 

Një akt terrorist e ka quajtur Presidenti i PL-së Ilir Meta vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja teksa ishte në krye të detyrës. Në një postim në Facebook, ai nënvizon se ky krim meriton ndëshkim të ashpër ligjor.

“Ekzekutimi i gjyqtarit në krye të detyrës, Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit është një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.

Ky krim shumë i rëndë, që meriton ndëshkim të ashpër ligjor nuk është rastësor, por rezultat i inkriminimit të Qeverisë me segmente të krimit, që ka sjellë dështimin për të garantuar rendin dhe sigurinë e jetës.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes Kalaja dhe kolegëve gjyqtarë, shpreh bindjen e thellë se zgjimi kombëtar për të mposhtur frikën nga krimi që ka kapur shtetin është e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë e jetës dhe rikthyer shtetin e së drejtës”, shkroi Meta në rrjetet sociale.

 

Vrasja e gjyqtarëve, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Sulm i egër ndaj drejtësisë, në gjykata mungojnë masat e sigurisë

 

1759769347_unioniigjyqtarvetshqipris.jpg
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës.

 

Unioni i Gjyqtarëve thotë se vrasje e gjyqtarit Kalaja dhe plagosja e dy personave pjesë e procesit gjyqësor, është akt barbar dhe sulm i egër ndaj drejtëisë.

Unioni ngre shqetësimin edhe të masave të sigurisë në gjykata.

Reagimi i Unionit të Gjyqtarëve:

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh tronditjen e thellë dhe dhimbjen e madhe për ngjarjen tragjike të ndodhur sot, ku një koleg ynë, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, humbi jetën në krye të detyrës, pas një sulmi me armë zjarri, në sallë të gjyqit, nga një palë në një çështje civile, e cila plagosi dhe babë e bir nga pala tjetër ndërgjyqëse.

Ky akt barbar përbën sulmin më të egër e të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, ndaj jetës e integritetit të gjyqtarëve, si dhe ndaj vetë rendit kushtetues të shtetit të së drejtës.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë kolegëve gjyqtarë, duke u gjendur pranë tyre në këtë moment të rëndë humbjeje e tronditjeje të thellë për gjithë trupën gjyqësore.

Ngjarja e sotme është një sinjal alarmi i qartë për mungesën e masave të duhura të sigurisë në gjykata dhe për rrezikun real, me të cilin përballen gjyqtarët në ushtrimin e detyrës së tyre.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon marrjen e menjëhershme të masave konkrete institucionale, për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.

Kjo ngjarje e rëndë ndodh në një klimë të përhershme armiqësore ndaj sistemit gjyqësor, e cila prej vitesh ushqehet dhe amplifikohet nga diskursi politik dhe mediatik, që shpesh e paraqet gjyqësorin si burim të çdo problemi në shoqëri.
Kjo qasje ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia, ka frymëzuar mosrespekt, fyerje dhe sulme ndaj gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe presionin mbi pavarësinë e gjyqësorit.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë u bën thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithëve aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes  ndaj trupës gjyqësore.  Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.

Në nderim të kolegut tonë të ndjerë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë do të vijojë të kërkojë me forcë respektimin, mbrojtjen dhe dinjitetin e çdo gjyqtari, që shërben me integritet për drejtësinë dhe shoqërinë.

Gjithashtu, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë siguron të gjithë publikun se, diskursi armiqësor dhe sulmet fizike nuk do të mundin të frikësojnë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i shërbyer publikut, duke i ofruar drejtësi, për të cilën dha jetën e tij, në krye të detyrës gjyqtari, babai, familjari e njeriu i mirë, kolegu ynë i paharruar Astrit Kalaja.

 
 
 

Vrasja gjyqtarit Astrit Kalaja, Manja: Sot, dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë! Sulm i drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë shqiptare

 

1758363116_ulsimanja.jpg

 

 

Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, duke e cilësuar ngjarjen si një akt barbar dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe sistemit të drejtësisë.

Postimi i plotë:

Një humbje që trondit drejtësinë!

Sot, dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë, duke marrë jetën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja.

E kam njohur dhe kam punuar me të në ditë të vështira për rendin dhe sigurinë në Shkodër (2002–2007) — ai si gjyqtar, unë si prokuror. Astrit Kalaja ishte, me plot kuptimin e fjalës, një familjar dhe qytetar model, një gjyqtar me integritet të lartë dhe shtetar i përgjegjshëm.

Si ish-koleg dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve, e dënoj me forcë këtë akt barbar, që është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe drejtësisë shqiptare.

Vrasja e një gjyqtari në detyrë kërkon ndëshkim shembullor dhe duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për sigurinë e të gjithë punonjësve të drejtësisë përballë dorës së krimit.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e shumtë që Astriti kishte kudo.

U prehtë në paqe njeriu dhe gjyqtari që nderoi togën e zezë!

 

Vrasja e gjyqtarit, Dhoma e Avokatisë: Goditje për sistemin e drejtësisë, thirrje alarmi për sigurinë

 

1759768281_dhomakombtareeavokatis.jpg

 

Dhoma e Avokatisë ka shprehur ngushëllimet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe dënuar këtë ngjarje, duke e konsideruar si goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë.

Në reagim, Dhoma e Avokatisë ngre alarmin për sigurinë në gjykata.

Dhoma e Avokatisë u bën thirrje edhe avokatëve që të ndërgjegjësojnë palët në proceset penale, civile dhe administrative.

Reagimi i Dhomës së Avokatisë:

Të tronditur thellësisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen në ambjentet e gjykatës të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Pergjithshëm, kolegut dhe mikut tonë Astrit Kalaja, trupa e avokatëve i përcjell familjes ngushëllimet më të thella. Kjo ngjarje është gjithashtu një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo ngjarje, për këdo është një thirrje alarmi për sigurinë, së pari të jetës dhe shëndetit të kolegëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe njëkohësisht një thirrje edhe për avokatët për thellimin e punës për ndërgjegjësimin e palëve në procese penale, civile dhe administrative për ç’ka atyre ju takon ligjërisht dhe për pritshmëritë në proceset ku ata përfaqësojnë palët.

Kryetari Dhomes Avokatise Shqiperise

Prof Dr. Maksim HAXHIA

 

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata e Lartë: Sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët

 

Gjykata e Lartë ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Në një reagim për mediat, Gjykata e Lartë thotë se kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës. Gjykata e Lartë thekson se në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur.

 

“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.

Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.

Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.

Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.

 

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagon KLP: Akt i paimagjinueshëm, sulm i drejtpërdrejt ndaj sigurisë publike

 

1759767710_keshilliilarteiprokurorise.jpg
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron ngjarje tepër të rëndë dhe të paimagjinueshme vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

 

Në reagimin për mediat, KLP thotë se kjo ngjarje është sulm i drejtpërdrejt ndaj Kushtetutës dhe sigurisë publike në tërësi.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi. Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.

Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit”, thuhet në reagimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Ministri i Drejtësisë Lamallari: Akt i rëndë kriminal, duhet dënuar, ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje

 

 

Pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ka ardhur një reagim edhe nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Përmes një reagimi, ai e ka cilësuar këtë si një akt të rëndë kriminal, i cili duhet që të dënohet me gjithë forcën e ligjit.  Ai tha se do të ketë një ashpërsim të dënimit për armëmbajtjen pa leje.

Reagimi i Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari:

‘Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim.  Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.  Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve.  Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë.

Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal.  U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!

 
Vrasja e gjyqtarit, ministrja Koçiu: Policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave
 
1758282169_albanakociu.jpg
 
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes me armë të gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e brendshme të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit, Tiranë.

Në reagimin e saj, ministrja Koçiu e konsideron akt barbar vrasjen e gjyqtarit dhe plagosjen e dy qytetarëve të tjerë, të cilët ishin palë në procesin gjyqësor me familjen Shkambi, të autorit.

Ministrja e Brendshme ka shprehur ngushëllimet, ndërsa thekson se nga policia janë angazhuar ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen. Koçiu shkruan se Policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave.

“Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.

Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës”, thotë ministrja Koçiu.

Autori Elvis Shkambi është arrestuar tashmë nga policia, si dhe është sekuestruar arma e krimit.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, kryebashkiaku i Shkodrës: Në çdo detyrë që mbajti u veçua për përkushtimin me të cilin i shërbeu drejtësisë

 

Kryetari i bashkisë së Shkodrës ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja i cili tronditi mbarë opinonin publik.

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale Beci shprehet se është i tronditur nga kjo tragjedi.

“I tronditur nga lajmi i ndarjes tragjike nga jeta të gjyqtarit Astrit Kalaja ,bir i Shkodrës dhe profesionist i përkushtuar, me një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor shqiptar.

I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1993, ai e nisi rrugëtimin e tij si gjyqtar në qytetin e lindjes, për të vijuar më pas si anëtar i Gjykatës së Apelit dhe i Kolegjit Zgjedhor.

Në çdo detyrë që mbajti, u veçua për integritetin, përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin i shërbeu drejtësisë.

Ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të tij”, shkruan Beci në rrjetet sociale

 

Vrasja e gjyqtarit, Sali Berisha: Autori dhe porositësi të marrin dënimin më të rreptë ligjor

 

1758799240_saliberisha.jpeg
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në ambientet e brendshme të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit, Tiranë.

 

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Berisha dënon ngjarjen e rëndë dhe ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës.

Kryedemokrati bën thirrje për dënimin më të rëndë ligjor për autorin dhe porositësit.

“Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja. Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit, dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend. Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë”, shkruan Sali Berisha.

Autori Elvis Shkambi është i arrestuar tashmë. Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj (babë e bir), palë në këtë proces.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Rama: Kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave

 

1759760236_gjykataeapelit.jpg

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme.

Krahas ngushëllimeve për familjarët e gjyqtarit të ndjerë, kreu i qeverisë shkruan se tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave.

Gjithashtu, Rama këmbngul se kjo ngjarje tragjike është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje.

REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA: 

Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe

Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit.

Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!

Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!

Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon OSBE: Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës

 

1759764343_OSBE.jpg
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme.

 

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.

I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.

Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.

Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor”,- thuhet në reagim.

 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Bardhi: Vetëgjyqësia nuk ka vend në një shoqëri demokratike

 

1759227184_gazmentbardhi.jpeg

 

 

Kryetari i Grupit Parlament të PD Gazment Bardhi, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Sipas tij ky akt shokues duhet të marrë dënim maksimal të parashikuar nga ligji.

Bardhi thekson gjithashtu se kjo është ngjarja më e rëndë në 35-vite demokraci, dhe se një gjyqtar në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës.

Postimi i plotë:

Tronditëse ngjarja e rëndë kriminale në Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja. Ky akt i pashoq është prej atyre që të lënë pa fjalë.

Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit të gjyqtarëve dhe profesionistëve të drejtësisë, apeloj që autori i këtij akti shokues të marrë dënimin maksimal të parashikuar nga ligji.

Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore, që ka nisur nga sulmet e hapura të Kryeministrit ndaj gjyqtarëve/prokurorëve për vendimet që nuk i pëlqejnë, nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.

Ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të jap vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit, për pasojë sot është dita për një reflektim të thellë nga e gjithë shoqëria shqiptare.

Kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe Ministri i Brendshëm Albana Koçiu që janë titullarët e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë në gjykata duhet të japin urgjentisht dorëheqjen, si akt përgjegjshmërie për dështimin në garantimin e sigurisë së profesionistëve të drejtësisë në vendin e tyre të punës.

Një gjyqtar/prokuror në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës. Kjo do pamundësonte ushtrimin e lirë dhe pa frikë prej tyre të detyrës së shenjtë të dhënies së drejtësisë.

Të bëhemi të gjithë bashkë për të ndëshkuar maksimalisht këtë akt të rëndë që ky akt i paprecedentë të mos kthehet në normalitet.