Qindra banorë të Reçakut dhe qytetarë të Shtimes u mblodhën sonte në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mesin e të pranishmëve ishin familjarë të martirëve dhe dëshmorëve, veteranë e invalidë të UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Bajram Hajrizi e cilësoi vendimin si të padrejtë, duke vënë theksin te kontrasti mes dënimeve të shqiptuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së dhe mungesës së një përgjegjësie për vrasjen e 45 civilëve të Reçakut.
“Për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot kemi një aktgjykim me gjithsej 81 vite burgim, ndërsa për 45 civilët e Reçakut, familjet e tyre ende presin drejtësi”, tha Hajrizi.
Ai kërkoi që drejtësia të zbatohet me të njëjtin standard për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë dhe i bëri thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës të ndërmarrë hapat institucionalë dhe kushtetues lidhur me të ardhmen e Gjykatës Speciale.
Ndërkaq, Agron Mehmeti tha se vendimi i sotëm nuk mund të konsiderohet si qëndrim në emër të popullit të Kosovës dhe, veçanërisht, jo në emër të Reçakut.
Gjatë tubimit pati edhe brohoritje në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe emrave të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Tubimi u mbyll me mesazhin se Reçaku nuk do ta harrojë sakrificën e viktimave dhe se familjet e 45 civilëve të vrarë më 15 janar 1999 vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
“Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës – dhe urojmë që çlirimtarët të kthehen në familjet e tyre, në vendin që e çliruan dhe ndërtuan”, u tha në përmbyllje të tubimit.