Presidenti Donald Trump thotë se duhet të marrë Çmimin Nobel për Paqen për zgjidhjen e tetë konflikteve që nga marrja e detyrës në janar. Por ky pretendim është diskutuar gjerësisht dhe konflikti është ndezur përsëri në disa rajone, përfshirë Republikën Demokratike të Kongos dhe përgjatë kufirit midis Kamboxhias dhe Tajlandës.
Agjencia e lajmeve “Reuters” ka publikuar një artikull në lidhje me pretendimet e Trump për parandalimin e tetë luftërave, përfshirë parandalimin e një konflikti mes Kosovës e Serbisë, duke i vënë pikëpyetje artikullit të saj: a e ka bërë këtë?
Në pjesën për Kosovën e Serbinë, në artikull thuhet se Kosova dhe Serbia ende kanë marrëdhënie të tensionuara gati pesë vjet pas marrëveshjeve që i ndërmjetësoi Trumpi me dy vendet gjatë mandatit të parë për t’i përmirësuar lidhjet e tyre ekonomike.
Reuter shkruan se pa paraqitur dëshmi, Trumpi tha në qershor se ai “ndali” luftë mes dy shteteve gjatë mandatit të tij të parë dhe se “unë do ta rregulloj këtë, përsëri” në mandatin e dytë.
Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, gati një dekadë pasi NATO-ja i bombardoi forcat serbe për t’i ndalur vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve etnikë nga rajoni gjatë një lufte kundër kryengritjes më 1998-1999.
Megjithatë, Serbia ende e cilëson Kosovën si pjesë përbërëse të territorit të saj. Dy vendet nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje të paqes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është munduar që ta zgjerojë kontrollin qeveritar mbi pjesën veriore, ku jetojnë rreth 50 mijë serbë etnikë, shumë prej të cilëve refuzojnë që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në korrik se “gjatë javëve të fundit”, Trumpi kishte parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë në rajon. Ajo nuk dha hollësi dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohoi se një përshkallëzim kishte qenë duke u afruar, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve në pjesën për Kosovën.