Ndonëse edhe pak ditë na ndajnë nga viti 2026, Maqedonia e Veriut ende nuk e ka miratuar Strategjinë kombëtare 2026/33 kundër dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje. Vërejtjet e njëpasnjëshme për ngecjet në këtë fushë nuk kanë bërë që institucionet të përshpejtojnë procedurat. Ministria e Politikës Sociale premtoi se e njëjta do t’i dorëzohet Qeverisë deri në janar të vitit të ardhshëm, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht se para më shumë se një viti, në tetor 2024 u paralajmërua se ka filluar procesi i përgatitjes së kësaj strategjie, e njëjta nuk është miratuar ende.
Ministria e Politikës Sociale vazhdimisht është arsyetuar, ndërsa së fundmi për Portalb.mk theksuan se strategjia pritet të miratohet deri në janar 2026.
“Është në fazën e finalizimit të tekstit propozues të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje 2026–2033, së bashku me Planin e Veprimit 2026–2029, nga ana e Trupit Kombëtar Koordinues për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, i cili është formuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.
Nga ministria shtuan se pas finalizimit të dokumentit do të mbahen debate publike, me qëllim që procesi i miratimit të këtij dokumenti, i cili është me rëndësi kombëtare, të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.
Sipas Ministrisë së Politikës Sociale, parashihet që dokumenti t’i dorëzohet Qeverisë së RMV-së deri në fund të dhjetorit ose në janar të vitit 2026.
Strategjia Kombëtare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe dhunës në familje (2026 –2033) krijohet me mbështetjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara në vend.
Entit Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka paralajmëruar se pas skadimit të Planit në vitin 2023, nuk u miratua Strategji e re dhe as nuk u hartuan të gjitha aktet nënligjore të nevojshme, gjë që vuri në pikëpyetje zbatimin e plotë të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, që njihet si Konventa e Stambollit.
Derisa ky proces është zvarritur me muaj, raporti i fundit i Entit të Revizionit ditë më parë tregoi se masat e ndërmarra për mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje në vend nuk janë mjaft efektive.
Sipas Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe ajo me Bazë Gjinore 2018–2023, nga 52 aktivitetet e parapara, 48 përqind janë zbatuar, 32 përqind nuk janë realizuar, ndërsa 18 përqind janë zbatuar pjesërisht.
“Sipas vetë përfundimit të raportit të revizionit, mund të vëreni se përfundimi është negativ, pra masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga shteti për mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje nuk janë mjaft efektive. Prandaj, duhet të merren masa shtesë për rritjen e efektivitetit të tyre”, deklaroi revizori shtetëror Maksim Acevski.
Sipas të dhënave, në vend janë regjistruar rreth 6.282 raste të dhunës me bazë gjinore dhe familjare.