Degët e pemëve që grumbullohen çdo ditë, përpunohen në këtë fabrikë, ku prodhohet plehu organik.
Me mbështetjen financiare të GIZ, Bashkia e Roskovecit ka hapur prej dy vitesh pikën e kompostimit të mbetjeve organike dhe kartonave, që sot konsiderohet model për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve.
“Ne mbledhim mbetjet bimore në të gjitha fshatrat e bashkisë Roskovec. Kartoni shtypet dhe shitet tek operatorët, ndërsa mbetjet bimore përpunohen në kavaleta, vaditen, mbulohen dhe pas rreth 6 muajsh prodhojmë pleh organik”,- shprehet Miranda Çepelaj, përgjegjëse e sektorit të kompostimit/
Në bazë të një kontrate qe bashkia ka me operatorë privatë, kartoni pasi shtypet dhe del ne treg. Gjate vitit 2024 u shitën 27 ton, me vlere 103 mije lek. Këto të ardhura shkojnë për mirëmbajtjen e pikës së kompostimit.
Ndersa mbetjet bimore, nga bari i thate tek degët e ullinjve shndërrohen në pleh organik, i cili përdoret për mbjelljen e luleve ne qytet.
“Ne mbledhim barin, gjethet, degët, çdo lloj mbetjeje bimore. Pas procesit të vaditjes dhe mbulimit, pas gjashtë muajsh prodhojmë pleh organik”,- tha Çepelaj.
Në fshatin Kuman ndodhet sera e bashkisë, ku çdo vit prodhohen mbi 10 mijë fidanë lulesh.
“Prej tre vitesh nuk shpenzojmë më për blerjen e luleve për lulishtet dhe institucionet arsimore. I prodhojmë vetë këtu, në serën tonë, duke përdorur plehun organik që del nga fabrika e kompostimit”,- Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec.
Pas suksesit me mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve bimore dhe kartonave, Roskoveci ka nisur një tjetër nismë: Ndarja e mbetjeve në burim. Aktualisht janë shpërndarë 1,300 kosha në familjet me banesa përdhese.
“Synojmë të shkojmë edhe më tej, duke nisur grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve inerte, por edhe ndarjen e qelqit e plastikës. Kemi një sfidë përpara, por besojmë se kjo është e ardhmja e menaxhimit të mbetjeve”,- tha më tej kryebashkiakja.
Një fabrikë e ngjashme funksionon edhe në Bashkinë Cërrik, ku mbetjet e gjelbra kthehen në pleh organik për përdorim bujqësor.