Bizneset që furnizojnë institucionet shtetërore me mallra apo shërbime shpesh përballen me vonesa në pagesa. Në fund të vitit 2025, detyrimet e papaguara të shtetit ndaj privatëve për faturat e kontraktuara arritën në rreth 11 milionë euro.
Për të shmangur këto vonesa, Ministria e Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri, i cili vendos rregulla më të forta për afatet e pagesave.
Këto ndryshime synojnë të shmangin hapësirat që ligji aktual lejon për shtyrje pagesash deri në 90 ditë.
Po ashtu, drafti rregullon edhe marrëdhëniet mes vetë bizneseve. Në rastet kur një kompani nuk paguan detyrimet ndaj një biznesi tjetër brenda afatit të kontratës, ose maksimumi brenda 60 ditëve nga marrja e mallrave apo shërbimeve, kreditori do të ketë të drejtë të përfitojë automatikisht kamatëvonesë, përveç rasteve kur palët bien dakord për një shtyrje tjetër afati.