Partizani ka tashmë tre ndeshje nën drejtimin e Kërnajës dhe 4 pikë të grumbulluara. Pikërisht me këtë ecuri e niste Milinkoviç, që më pas provonte vetëm humbje. Ndryshe nga trajneri serb që mendonte vetëm për mungesat pasi nuk e ndryshonte rreshtimin e preferuar 4-2-3-1, Kërnaja duket se po has vështirësi edhe në rreshtim.
Janë tri ndeshje dhe tre rreshtime të ndryshme. Dëmtimet tashmë nuk janë gjë e re për Partizanin, që duhet të mësohet dhe këtu mund t’i vijë në ndihmë kontingjenti që ka në dispozicion. Për një fazë me të paktën katër rreshtime të ndryshme, ekipi po shfaq vështirësitë pikërisht në fushën e lojës. Me siguri mund të thuhet tashmë, që as ndaj Vorës nuk dihet si ekipi do rreshtohet nga minuta e parë.
MILINKOVIÇ- Partizani i trajnerit serb preferoi për gjashtë javë rreshtimin 4-2-3-1. Sipas tij problemi i Partizanit ishte mungesa e liderëve në skuadër. Të kuqtë pësuan tronditje të madhe pas humbjes 0 me 3 në derbin me Tiranën, për këtë vendosën që ta largojnë Milinkoviçin. Ndeshja e fundit e tij, e humbur në “Air Albania”, do të mbahet mend për rotacionin e preferuar.
VLORË- Kërnaja debutoi me fitore te Partizani ndaj Flamurtarit. Ishte autogoli i Lorenc Trashit në Vlorë, që vendosi fatet e takimit. Partizani u rreshtua me skemën 4-4-2. Risi ishte prania e Mateo Çipit, që nuk kishte fituar asnjë minutë në këtë edicion. Çipi ishte pafat sepse që në ndeshjen e parë pësoi dëmtim të rëndë dhe tashmë është në paterica. Po ashtu ra në sy prania e Da Silvës si titullar.
Ad