Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Eksplorimi i parasë digjitale duke blerë e shitur kriptomonedha nuk është më tabu për shqiptarët. Mjafton të kesh një telefon me internet, dhe regjistrohesh online, për pak minuta hap kuletën digjitale.
“Të dhënat janë diku tek 50-60 mijë kuleta digjitale shqiptare, por mendoj se numri është edhe më i madh afër 100 mijë”, shprehet Emir Allen, i cili drejton në Angli, një kompani që prodhon dhe tregton kriptovaluta
Emir Allen: Mbreti mbetet ‘Bitcoin’.
Pyetje: Kush po e konkurron?
Emir Allen: Ethereum është kriptomonedhat tjetër që ka sistem konkurrues.
Një monedhë që nuk preket, por vlera e saj lëviz në bazë të kërkesës në treg, kjo është ‘kriprovaluta’ që mund të blihet në platforma online.
“Kriptomonedhat janë një formë paraje por virtuale. Siç kemi llogaritë bankare që kemi para që i shohim si numra por nuk i prekim thuajse e njëjta gjë. Ka disa platforma online, siç kemi bankat fizike që përdorim IBAN, edhe këto zëre se kanë IBAN e tyre, dhe përdoren si mjet pagese”, shpjegon eksperti për monedhat digjitale Shahin Dokuzi.
Krijuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj të ‘monedhave virtuale’ zbarkuan në Tiranë, në samitin e zhvilluar për herë të parë në vend për ‘Balkans Crypto 2025’, i organizuar nga shqiptarë të diasporës.
“Ajo që duam të bëjmë ne është që duke sjellë disa kompani serioze, të vendosen këtu dhe të prodhojnë këtu e të krijojnë një sistem të patundshëm”, tha Emir Allen, bashkëorganizator i Balkans Crypto 2025.
“Ne Shqipëri njerëzit e përdorin shumë Crypto-n. Ata kanë nevojë vetëm për drejtimin e duhur që t’i bëjnë këto investime më të sigurta dhe më të efektshme. Ne duam t’iu tregojmë që Crypto është e vërtet dhe që mund të bëjnë bankë me to”, pohon David Rao, koordinator i ‘Balkans Crypto 2025.
Shqipëria edhe pse një treg pa ‘prodhues monedhash digjitale’ pasi nuk ka kompani të licencuara, ka filluar të eksplorojë ilegalisht botën virtuale.
“Janë disa ferma të vogla ilegale por janë një pikë në oqean. Krijohet një fasadë sikur janë UEB3 ose kriptomonedhat, por në realitet nuk ka asnjë lloj projekti serioz është si skemë piramidale”, pohon Emir Allen.
“Mund të gdhihesh pa e ditur se sa para ke prandaj është edhe shumë risk e duhet vëmendje. Duhet rregulluar ligji, pasi kam njohuri shumë të mëdha dhe me pajisje mund të gjeneroj kriptomonedhat dhe ti kthej në para, nuk mundem ta bëj se ligji nuk e lejon”, thotë Shahin Dokuzi.
Samiti duhet shfrytëzuar për punësim thotë eksperti.
“Kjo mund të shërbejë jo vetëm për njohur por edhe si mundësi punësimi, pasi mund të angazhohen për pjesën e dizajnit, programimit apo dhe të investimit”, tha Dokuzi.
‘Kriptovaluta’ është një monedhë, që nuk ka një bankë qendrore apo një administrator dhe me të mund të bësh transaksione në të gjitha anët e botës. Pra një ‘bankë online’ e pakufizuar.
Minierat e kriptos zakonisht zhvillohen pranë kabinave të energjisë elektrike sepse për prodhimin e tyre duhet konsum i lartë energjie. Në Shqipëri janë identifikuar ferma të prodhimit ilegal, por përtej kësaj institucionet kanë identifikuar raste të përdorimit të monedhave virtuale për pagesa mes karteleve të drogës.