Rreth 200 mijë persona pritet të marrin pjesë sot në Prishtinë në “Marshin për Liri”, të organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Marshi do të nisë në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje që pjesëmarrja të jetë masive, duke e cilësuar aktivitetin si qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz.
Në kuadër të programit janë paralajmëruar tetë folës. Në emër të platformës “Liria ka Emër” do të flasin Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, ndërsa shoqatat e dala nga lufta do të përfaqësohen nga Hysni Gucati.
Para pjesëmarrësve do të flasë edhe Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani.
Në mesin e folësve do të jenë edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës, i njohur si komandant “Cali”.
Sipas organizatorëve, në marsh pritet të marrin pjesë edhe më shumë se 150 deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të institucioneve të vendit.
Aktiviteti zhvillohet vetëm katër ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.
“Liria ka Emër” e ka cilësuar marshin si një mobilizim qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.
Mbështetje për marshin kanë shprehur edhe përfaqësues të institucioneve, partive politike, komuniteteve fetare, sindikatave, bizneseve dhe organizatave të ndryshme.
Në mesin e tyre janë edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, dhe ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji. Të dy kanë shprehur mbështetje dhe solidaritet me ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre.
Pjesëmarrjen në marsh e kanë konfirmuar edhe Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ndërsa mbështetje kanë dhënë edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Oda Ekonomike e Kosovës.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se bizneset, punëtorët, bashkëpunëtorët dhe familjarët e tyre do t’i bashkohen marshit në mënyrë masive.
Ndërkaq, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se Oda qëndron në mbështetje të çlirimtarëve dhe të së drejtës për një proces të drejtë e të paanshëm.
Në programin e marshit pritet të performojnë edhe këngëtarët Shkurte Fejza dhe Arif Vladi.
Për pjesëmarrësit është organizuar transport nga një numër i madh i komunave të Kosovës, me qëllim që qytetarëve t’u mundësohet ardhja në Prishtinë.
Organizatorët kanë kërkuar që marshi të zhvillohet pa ndarje politike dhe pa simbole partiake, me fokus te mesazhi qytetar në prag të vendimit në Hagë.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, marshime janë organizuar edhe më herët në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Hagë dhe qytete të tjera evropiane.