Sonte në mbrëmje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi Komunën e Malishevës, ku u prit nga Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, për t’u njohur me pasojat e reshjeve të fundit dhe masat e ndërmarra për menaxhimin e situatës. Osmani dhe Kastrati vizituan digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rreziqet e mundshme.
Sipas një njoftimi nga Komuna e Malishevës, kryetari Kastrati informoi presidenten për gjendjen aktuale, dëmet e shkaktuara dhe koordinimin e vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai theksoi se është aktivizuar Shtabi Emergjent dhe se janë marrë masa për të ndihmuar qytetarët e prekur.
“Kemi monitoruar digën e Liqenit të Mirushës për të parandaluar çdo rrezik nga një avari eventuale,” tha kryetari Kastrati, duke kërkuar edhe mbështetjen e nivelit qendror për sanimin e dëmeve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar.
Presidentja Osmani përgëzoi institucionet lokale dhe ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke theksuar se prioritet ka qenë mbrojtja e jetës së qytetarëve, dhe shprehu solidaritetin e saj me të gjithë të prekurit.
“Bashkë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar dhe mund të merren masat e nevojshme nga të gjitha nivelet,” tha Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës.
Presidentja Osmani viziton Gjakovën dhe Malishevën pas përmbytjeve: Bashkë mund t’i tejkalojmë sfidat
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Gjakovën dhe Malishevën për të parë nga afër pasojat e përmbytjeve dhe për t’u njohur me nevojat e qytetarëve të evakuuar.
Gjatë vizitës, presidentja u takua me kryetarët e komunave, Ardian Gjini në Gjakovë dhe Ekrem Kastrati në Malishevë, si dhe me familjet e prekura, duke garantuar që asnjë familje nuk do të mbetet pa mbështetjen e nevojshme.
Ajo theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit në situata emergjente, duke shprehur falënderime të veçanta për ekipet e emergjencës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, zjarrfikësit dhe policinë, që kanë qenë në krye të detyrës për të mbrojtur jetët dhe pronat e qytetarëve.
Presidentja gjithashtu rikujtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet në gjendje gatishmërie dhe e gatshme për të ofruar mbështetje në çdo rast të nevojshëm.
“Bashkë mund t’i tejkalojmë sfidat!”, u shpreh presidentja Osmani.
Për gjendjen e krijuar foli edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini. Ai tha se situata paraqitet më e mirë.
“Është vizitë e rëndësishme. E kemi kaluar një dy-tri ditë goxha të zorshme, po sot është e vërtetë që niveli i ujërave ka rënë edhe nuk po shihet që do të kemi rritje ose rritje të problemit në ditët që vijnë. Po duket që situata ka me qenë më mirë”, tha Gjini.
Ai njoftoi se gjatë vërshimeve ka pasur edhe evakuime të qytetarëve.
“Po, kemi pasur disa evakuime, i kemi vendosur në objektet tona të banimit social. Ka familjarë të cilët i kanë marrë të afërmit e vet nëpër shtëpitë e tyre. Jemi kujdesur deri sot për ushqim, një pjesë edhe për veshmbathje”, u shpreh ai.
Gjini shtoi se ekipet komunale janë duke punuar në sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura. “Jemi duke i sanuar dëmet aty ku mundemi, duke i pastruar rrugët prej shembjeve ose prej vërshimeve ose prej mbeturinave fatkeqësisht që kanë sjellë dëme të shumta, fatkeqësisht duhet me thënë”, tha ai.
Sipas tij, nga dita e nesërme do të nisë procesi zyrtar i vlerësimit të dëmeve.
Situatë emergjente nga vërshimet, FSK në mbështetje të qytetarëve
Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje në disa vendbanime të vendit.
Me urdhër të Komandantit të FSK-së, ekipet në gatishmëri kanë ndërhyrë në terren për shpëtimin e jetëve dhe për ofrimin e ndihmës së nevojshme, në koordinim me autoritetet civile dhe në bazë të kërkesave të pranuara nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës.
“Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të angazhuara në terren dhe mbesin në gatishmëri të plotë për të ofruar mbështetje për autoritetet civile me të gjitha kapacitetet e Mbështetjes Ushtarake,” thuhet në njoftimin e FSK-së.
Nga FSK-ja bëhet e ditur se angazhimi i njësive do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, varësisht nga zhvillimi i situatës në zonat e prekura nga vërshimet.
Reshjet e shiut, IKShPK tregon se në cilat rajone mund të pihet uji aktualisht
Pas reshjeve të dendura të shiut, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell nga afër situatën me ujë të pijshëm në gjithë territorin e Kosovës. Përmes një njoftimi, IKShPK-ja ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës, përshkak të turbullirës së madhe të ujit para hyrjes në dy fabrika, ato nuk punojnë, ndërsa theksojnë se uji në rrjet po kontrollohet dhe se nuk ka probleme me cilësinë e ujit të pijes.
Tutje, në rajonin e Prizrenit, uji nga “40 bunarët” është lëshuar vetëm për nevoja sanitare ndërsa për pije nuk është i sigurt, ndërsa nga burimet tjera uji është i përdorshëm. Gjithashtu në Suharekë dhe Malishevë, uji i rrjetit nuk është i përdorshëm për pije.
Në Dragash nuk raportohet të ketë probleme me ujin e pijes. E njëjta vlen edhe për Gjilanin. Në Kamenicë qytetarët janë udhëzuar të mos e përdorin për pije ujin.
Në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme. Për të siguruar ujë më të pastër, janë futur në përdorim puset ekzistuese.
Në komunën e Pejës, janë vërejtur turbullira në burimin e Drinit të Bardhë në Radac. Sot situata në Radac është përmirësuar dhe furnizimi me ujë vazhdon normalisht.
Në Ferizaj uji është i sigurt për pije, gjithashtu dhe në Gjakovë. Sa i përket Mitrovicës, uji nuk është dhe nuk do të jetë për një kohë të caktuar i lëshuar për pije.
IKShPK-ja në fund ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes.
Paralajmëron AME: Situata me vërshimet mund të përkeqësohet në rast të reshjeve të reja
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka paralajmëruar se situate me vërshimet mund të përkeqësohet, në rast të reshjeve të reja, megjithatë rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi.
Në njoftimin e AME’së bëhet e ditur se zona e Anadrinisë, Komuna e Prizrenit në të dyja anët e rrjedhës së Drinit është përmbytur.
“Rruga Gjonaj -Krajk e bllokuar shkaku i daljes se drinit bardhe në rruge, sipas policise në nivel mbi 1.5 m e dalun ne rruge Gjonaj – Krajk, Komuna e Prizrenit. Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”, theksohet në njoftim.
Agjencia ka thënë se njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me Qendrën Operative të Agjencise, strukturat komunale, janë të angazhuara në: Koordinimin e mbështetjes qeveritare, në intervenime për pompim të ujit, sigurim të objekteve të rrezikuara, dhe monitorim të pikave kritike.
“Numri unik emergjent 112 është funksional dhe në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftim,
Në fund u është bërë apel qytetarëve që të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në numrin 112.
Vërshime në 21 komuna, Kurti: Aktualisht situata është nën kontroll
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet e djeshme në disa komuna të vendit është aktualisht nën kontroll, ndërsa institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara pa ndërprerë në terren.
“Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se institucionet qendrore kanë mbështetur edhe autoritetet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.
“Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike.
Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, vërshimet kanë prekur një numër të madh komunash, përfshirë: Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimen, Graçanicën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.
“Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll”, ka bërë të ditur Kurti, duke shtuar se përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.
Ai ka theksuar se gjatë natës ka pasur intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për pastrimin e pusetave të bllokuara, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gatishmëri.
Në fund, Kurti ka falënderuar të gjitha ekipet e angazhuara dhe qytetarët për bashkëpunimin.
“Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues. Falënderoj qytetarët për solidaritetin dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes”, ka përfunduar ai.
Vërshimet nga shiu, SBAShK: Procesi mësimor s’fillon pa kushte të sigurta për punë dhe mësim
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit, duke theksuar se siguria në shumë shkolla është seriozisht e rrezikuar.
Në reagimin e saj, SBASHK-u vlerëson se kjo gjendje ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore në Kosovë mbetet e pambrojtur, ndërsa reagimi institucional, sipas sindikatës, shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK-u ka përkrahur vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke theksuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Reagimi i plotë:
Reagim i SBASHK-ut
Reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë krijuar rrezik serioz për sigurinë në shumë shkolla dhe për familjet e punëtorëve të arsimit. Kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK përkrah vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e MASHTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Megjithatë, shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.
SBASHK-u kërkon urgjentisht:
Inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat;
Vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore;
Sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit;
Transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Në veçanti kërkojmë inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, si:
Drenasi, Malisheva, Suhareka, Fushë Kosova, Klina, Gjakova,Dragash dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.
Paralajmërim sindikal:
SBASHK-u nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK-u do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.
Siguria nuk negociohet.
SBASHK-u – në mbrojtje të punëtorëve të arsimit.
Reduktime të ujit mbi 5 orë në Fushë Kosovë, Obiliq dhe Kalabri, shkak turbullirat
KRU “Prishtina” ka paralajmëruar se në Fushë Kosovë, Obiliq dhe një pjesë e lagjes Kalabria do të ketë reduktime në furnizimin me ujë nga ora 10:30-17:00, shkaku i turbullirave si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shkruan Reporteri.net.
Këto zona do të furnizohen me ujë nga ora 17:00-22:00.
Në njoftim thuhet se ndikime mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
“Ekipet tona janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht. Furnizimi do të rikthehet sapo të stabilizohen parametrat. Me ITU Albanik dhe Badoc po trajtohet ujë me kapacitet maksimal”, thuhet në njoftim.
Rogovë e Hasit: Lumi Drin del nga shtrati, përmbyt fshatin
Fshati Rogovë e Hasit në Gjakovë është përmbytur, pasi lumi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati,
Në pamjet e siguruara nga Reporteri.net shihet se uji ka bllokuar rrugët e fshatit.
Me vërshime po përballen edhe komuna tjera në vend, pas reshjeve të shumta të shiut gjatë të hënës dhe ditës së djeshme.
IHMK-ja me raport për gjendjen e lumenjve pas reshjeve, tregon ku është situata më e rënduar
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dalë me raport për nivelin e ujit në lumenjtë e Kosovës pas reshjeve të shiut të cilat shkaktuan vërshime në disa komuna të Kosovës, sipas të cilit nga e hëna në të martën në Kosovë kanë rënë mesatarisht 43mm reshje në një metër katror.
Në raport thuhet se sasia e reshjeve sipas pellgjeve lumore më së shumti ka arritur në Drinin e Bardhë me 76.2mm, Ibri 27.8mm, Morava e Binçës 19.9mm dhe Lepenci 47.9mm.
Sipas IHMK-së, shumica e lumenjve në Kosovë, e sidomos ata në pjesën Perëndimore dhe qendrore të vendit, gjatë këtyre dy ditëve kanë pësuar ngritje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati i tyre dhe kanë shkaktuar përmbytje lokale.
“Situata më e vështirësuar paraqitet në lumenjtë: Drini i Bardhë, Ereniku, Bistria e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica, Lumi Istogut. Lumenjtë në lindje dhe jug të vendit si Ibri, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, Nerodimja aktualisht kanë ngritje të lehtë të niveleve dhe nuk paraqesin problem”, thuhet në raport.
Reshje shiu priten edhe sot në vend, e që sipas Institutit do ta vështirësojnë edhe më shumë situatën.
“Reshje, pritet edhe gjatë natës dhe ditës së nesërme, të cilat do ta vështërsojnë edhe më shumë situatën e krijuar”, theksohet në raportin e publikuar mbrëmë nga IHMK.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se rajonet më të prekura nga vërshimet janë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaj dhe Gjakova, me vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara.
Stabilizohet situata me vërshimet në Mitrovicë, Peci ndan detaje
Në rajonin e Mitrovicës ka rënë sasia e ujit në të gjitha pikat kritike, duke rritur gjasën që të bie edhe sasia në lumin Lushta.
Lajmin e ka bërë të ditur mbrëmë pas mesnate, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Duke ndarë fotografi nga terreni, Peci u shpreh se i gjithë mekanizmi i shtabit emergjent do të jetë në dispozicion, 24 orë.
“Të dashur qytetarë Në këto momente, sasia e ujit në të gjitha pikat kritike ka rënie të dukshme, me tendencë të rënies edhe në lumin Lushta. I gjithë mekanizimi i Shtabit Emergjent do të jetë në dispozicion 24 orë. Flini të qetë!” shkroi Peci.
Kosova nën vërshime, gjendje e jashtëzakonshme në dy komuna – shtyhet procesi mësimor
Komuna të shumta të Kosovës janë përballur me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë rënë ditën e djeshme.
Komuna e Malishevës dhe ajo e Junikut kanë shpallur gjendje emergjente, teksa reshjet e shiut është paralajmëruar të vazhdojnë edhe sot.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, tha se situata me vërshime “paraqitet e menaxhueshme, me raste të lokalizuara në disa komuna”.
Sipas AME-së, komunat më të prekura janë Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova, ku raportoi për vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë.
“Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.Në shumicën e komunave të tjera, gjendja është relativisht e qetë dhe stabile, në monitorim të vazhdueshëm”, u tha në njoftim.
Reshjet bënë që qytetarët të përballën edhe me ndërprerje të ujit dhe rrymës.
Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.
Ndërkohë Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar, shkaku i vërshimeve në vend, shkruan Reporteri.net.
Nagavci ka deklaruar se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar./Reporteri.net/
Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar, shkaku i vërshimeve në vend, shkruan Reporteri.net.
Nagavci ka deklaruar se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
“Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka deklaruar se MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur.
“Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor”, thuhet në postim.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se rajonet më të prekura nga vërshimet janë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaj dhe Gjakova, me vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara./Reporteri.net
Shtyhet fillimi i mësimit në Deçan për shkak të motit të keq
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Deçanit ka njoftuar se për shkak të gjendjes së përkeqësuar atmosferike, fillimi i procesit mësimor në të gjitha institucionet arsimore të kësaj komune shtyhet deri më 12 janar 2026.
Në njoftimin zyrtar thuhet se ditët e humbura të mësimit, 8 dhe 9 janar 2026, do të kompensohen deri në përfundim të vitit shkollor, sipas planifikimeve që do të përcaktohen nga institucionet arsimore përkatëse.
“Shpresojmë që kushtet atmosferike të përmirësohen sa më shpejt, në mënyrë që procesi mësimor të vazhdojë rregullisht dhe pa pengesa”, thuhet në njoftim.
Vërshimet në Vushtrri, Idrizi: Situata është nën kontroll, nuk kemi raportime për rrezik serioz për qytetarët
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se situata nga vërshimet në këtë qytet aktualisht është nën kontroll dhe se nuk kanë raportime për rrezik serioz për qytetarët, shkruan Reporteri.net.
Idrizi ka bërë me dije se ndodhen në terren bashkë me ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policinë, duke monitoruar nga afër gjendjen.
Sipas tij, të gjitha ekipet janë të gatshëm për çdo ndërhyrje të nevojshme.
“Në këtë situatë, shprehim solidaritetin tonë të plotë me komunat e tjera të Kosovës që po përballen me gjendje më të rënduar, duke shpresuar që situata të stabilizohet sa më shpejt dhe dëmet të tejkalohen me sa më pak pasoja për qytetarët”, ka shkruar Idrizi.
Mblidhet Shtabi Emergjent në Mitrovicë pas situatës me vërshimet
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se të martën mbrëma ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit Emergjent pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut.
Peci ka thënë se i gjithë mekanizmi shtetëror, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, janë në gjendje gatishmërie bashkë me ekipe vullnetare për intervenim të menjëhershëm nga vërshimet në Komunën e Mitrovicës, shkruan Reporteri.net.
“Duke marrë në konsideratë motin e përkeqësuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut dhe rrezikun nga vërshimet e mundshme në rajonin e Mitrovicës, sonte në ora 21:00 thirra mbledhje të jashtëzakonshme të gjithë akterët kompetentë në zinxhirin e sigurisë dhe intervenimit emergjent. Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me koordinimin në mes institucioneve, vlerësimin e gjendjes së tanishme në terren, si dhe masat që duhet të ndërmerren. Si kryetar i Komunës, jam i gatshëm që të vë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme në menaxhim të kësaj situate”, ka njoftuar Peci nëpërmjet një postimi në Facebook.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se rajonet më të prekura nga vërshimet janë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaj dhe Gjakova, me vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara.