“Çdo ditë ecim nëpër lloç”, “Komuna na la në baltë, në kuptimin e plotë të fjalës”, “Veturat i shkatërruam”. Kështu ankohen banorët e rrugës “Veselin Vujovski” në Kumanovë për pjesën e kësaj rruge që nuk është asfaltuar prej dekadash, pavarësisht premtimeve të shumta nga komuna. Ndërkaq, Komuna e Kumanovës nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë problem, shkruan Portalb.mk.
Banorët thonë se e kanë humbur durimin, pasi në këtë pjesë të rrugës nuk është investuar asgjë kurse është turp që në shekullin XXI të detyrohen të shkelin në baltë sa herë që bie shi.
Esat Islami, banor i rrugës “Veselin Vujovski”, ankohet se kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski, kishte premtuar katër vite më parë se rruga do të rregullohej, por ky premtim ka mbetur i parealizuar.
“Në anën e majtë, rruga e banesave nuk është shtruar prej 30 vitesh, që kur u ndërtuan këto banesa. Ndërsa në anën e djathtë është një problem tjetër, ku njerëzit ankohen se rruga është pronë e tyre, ndërkohë që faktikisht është pronë shtetërore dhe publike. Edhe sot e kësaj dite, edhe pse u premtua në zgjedhjet lokale të vitit 2021, rruga nuk është shtruar. Kemi pasur premtime nga kryetari i komunës se do të bënte një referendum për këtë rrugë, por ka mbetur vetëm premtim, asgjë tjetër,” tha Esat Islami.
Skender Aziri ankohet se politikanët premtojnë të rregullojnë rrugët para zgjedhjeve dhe pastaj zhduken, sepse kanë për qëllim vetëm marrjen e votave.
“Edhe vetë Maksimi, pikërisht atje, na premtoi, por vetëm sa për të marrë votat. Që nga viti 2011, prejse jetoj këtu, ajo rrugë ka mbetur ashtu, nuk e di pse nuk është rregulluar. Edhe një pjesë tjetër e rrugës poshtë ka qenë e parashikuar për t’u shtruar, por puna u ndërpre dhe mbeti ashtu,” tha Skender Aziri.
Ai shtoi se në shekullin XXI, ende detyrohen të shkelin në baltë sa herë që bie shi.
Kujtojmë se më 12 shtator 2025, kryetari aktual i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, e shpalli kandidaturën për mandatin e tretë, si kryetar i qytetit.
Rrugët në lagjet shqiptare të lëna pasdore
Kjo nuk është e vetmja rrugë në këtë gjendje në Kumanovë. E dëmtuar është edhe rruga te “Zona Industriale”, madje qytetarët kanë bërë edhe një peticion për rregullimin e saj. Po ashtu edhe rrugët “Karl Marks” dhe “Lube Gaçev” që gjenden në lagjen e njohur si “Orta Bunar”, ende nuk janë riparuar. Në gjithë këto rrugë dhe lagje, shumica e banorëve janë shqiptarë.