U deshën 16 vite për të ndërtuar rrugën Qukës–Qafë Plloçë por shfaqi problematika serioze që në dimrin e parë. Prej mëngjesit të së dielës, ka rrëshqitur një masiv shkëmbor duke bllokuar dy korsitë. Ky segment rrugor për të cilin janë derdhur rreth 260 milionë euro investime, është inauguruar vetëm dy muaj më parë dhe kjo hera e dytë brenda pak ditëve që ky aks rrugor bllokohet si pasojë e interteve pas reshjeve intensive të shiut.
Në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, ishte i ftuar inxhinier Romeo Nazarko, i cili renditi të gjitha problematikat lidhur me ndërtimin e segmenteve rrugore në vend. Nazarko tha se kontrollet e ndërtimeve bëhen më forma fiktive si dhe monitorohen po nga të tillë inxhinierë, të cilët kryesisht janë të punësuar në administratën shtetërore.
Sa i takon shembjes në aksin Qukës-Qafë Plloçë, inxhinieri shpjegoi të gjitha shkeljet gjatë ndërtimit. Sipas tij, nuk janë bërë shpimet gjeologjike dhe as kolaudimi. Madje ai thekson se është inauguruar para kohe për efekt zgjedhor.
“Shakqet për rrëzimin e skarpateve të rrugës, vijnë si pasojë e punëve qe bëhen nga kompanitë e ndërtimit me inxhinierë fiktivë. Në dosje, kompanitë prezantohen me të tjerë inxhinerë, e në terren punimet ndiqen nga inxhinierë të tjerë. Është rruga dhe skarpatsa që shtrihet rruga. Gjatë ndërtimit këto skarpata provokohen nga gërmimet dhe nuk trajtohen më pas. Provokimi që u bëhet, në rastin e reshjeve ato shemben. Kam konstatuar që i gjithë segmenti kishte rrëshqitje.
Kompanitë e kolaudimit dhe supervizimit, nuk janë kompani serioze. Janë inxhinierë që punojnë në administratë shtetërore. Në rastin konkret, nuk kemi pasur një projekt fillestar për tu bazuar, gjithmonë ka ndryshuar si projekt. Nuk janë bërë shpimet gjeologjike për të parë qëndrueshmërinë dhe këto janë pasojat. Si në cdo rrugë dhe kjo, ose nuk i është bërë kolaudimi, dhe është inuguaruar para kohe për efekt zgjedhor, ose kolaudimi i është bërë në mënyrë fiktive”, tha Nazarko.
Inxhinieri gjithashtu theksoi dhe nevojën për ndryshimin e sistemit procedurial dhe hapjen rrugë të krijimit të Urdhërit Profesional të Inxhinierit, si përgjegjës për monitorimin e punimeve rrugore. Për këtë, Nazarko me faj bën ministrinë e Infrastrukturës, e cila kërkon që të vetëmenaxhojë dhe tenderojë paratë e buxhetit të shtetit.
“Ne duam të shkojmë në BE dhe jemi akoma me sistemin komunist me marrjen e licensave pranë ministrisë së Infrastrukturës. Licensat duhet të hiqen dhe duhet krijuar urdhri profesional i inxhinierit për të monitoruar të gjitha shërbimet që behen në ndërtim. Ministria nuk e krijon këtë urdhër se kërkon të tenderojë të gjithë buxhetin e shtetit. Dhe jemi në këtë situatë, të gjithë drejtohet e ARRSH ose janë në burg, ose janë në ndjekje penale”, tha inxhinieri.
Qarkullimi është devijuar në një bypass provizor 600 metra të gjatë, i cili, sipas të dhënave nga burimet, duket se është ndërtuar një javë më parë, çka ngre dyshime se shembja ishte e parashikuar dhe pritej të ndodhte. Aktualisht, makineri të rënda po punojnë për thyerjen dhe largimin e shkëmbinjve që kanë zënë rrugën, ndërsa autoritetet njoftojnë se normalizimi i qarkullimit dhe hapja e aksit pritet të realizohet brenda dy ditëve. Në zonë po punon kompania mirëmbajtëse “2T”, e cila po vendos edhe shufra dhe rrjeta metalike për parandalimin e rrëshqitjeve të tjera.
Loti i tretë i aksit rrugor karakterizohet nga formacione të paqëndrueshme të tokës, duke sjellë edhe rrëshqitje të vazhdueshme. Për këtë situatë dje pati edhe reagime nga PD. Ivi Kaso, solli në vëmendje fryrjen e kostove të rrugës, në mbi 260 milionë euro nga 90 që parashikohej maksimalisht ndërsa tha se pas aferës së tunelit të Llogarasë, kjo rrugë është afera e radhës që kërkon hetim.
Varr monumental korrupsioni e quajti Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi. Ndërsa Adriatik Lapaj, i cili shkoi të shihte situatën nga afër, shkroi se kur tenderat bëhen me telefon, e kur përfituesi dihet pa u shpallur procedura, e kur hekuri mungon në beton, jeta e qytetarëve rrezikohet.