Radio Televizioni i Kosovës po përballet me rrezik të madh për ndërprerje të funksionimit si pasojë e mungesës së mjeteve financiare. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka ngritur alarmin për krizën në rritje dhe paralajmëron masa të ashpra, përfshirë protesta dhe grevë të përgjithshme nga 6 gushti, nëse deri më 5 gusht nuk alokohet pjesa e mbetur e buxhetit të miratuar nga Kuvendi.
Në një reagim të ashpër, SPERTK thekson se është angazhuar me të gjitha institucionet përgjegjëse për të shmangur kolapsin financiar të transmetuesit publik, i cili rrezikon të mos mund të vazhdojë shërbimin ndaj qytetarëve.
“RTK është buzë kolapsit financiar. Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga të gjitha partitë politike për të mos lejuar që qindra punëtorë të mbesin pa paga dhe qytetarët pa informim publik,” thuhet në reagim.
Sindikata kujton se në nëntor 2024 ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, përmes Avokatit të Popullit, lidhur me zvogëlimin për 2 milionë euro të buxhetit të RTK-së, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Edhe në vitin 2021, në mungesë institucionesh funksionale, u gjetën zgjidhje ligjore për alokim të buxhetit. Tani nuk ka asnjë justifikim për mosveprim”, thekson SPERTK.
Në fund, Sindikata paralajmëron se nga 6 gushti do të nisë grevë të përgjithshme dhe protesta, nëse kërkesat nuk përmbushen dhe nëse nuk garantohet stabiliteti financiar i RTK-së.
“Koha po ikën – përgjegjësitë janë të qarta,” përfundon reagimi.