Forcat e mbrojtjes ajrore ruse thuhet se kanë hapur zjarr ndaj një avioni civil, pothuajse duke e rrëzuar atë, pasi e ngatërruan me një dron ukrainas, raportoi një gazetar rus i pavarur, duke cituar një regjistrim audio nga kabina e pilotit, shkruan TVPWorld.
Incidenti ndodhi në orët e para të së premtes, kur fluturimi Aeroflot AFL1845 ndodhej pranë aeroportit ndërkombëtar Sheremetievo në Moskë.
Avioni Boeing 737-800, i cili po fluturonte nga kryeqyteti i Bjellorusisë, Minsk, thuhet se ishte objektivi i një sistemi raketor Pantsir-S. Avioni ka pësuar dëme të vogla, por ka arritur të ulet në mënyrë të sigurt.
Sipas gazetarit rus Aleksandr Nevzorov, incidenti ndodhi në orën lokale 12:20. Të dhënat e ndjekjes së fluturimeve të ofruara nga FlightAware konfirmojnë se fluturimi AFL1845 u nis nga Minsku në orën 23:27 më 10 korrik dhe mbërriti në Moskë në orën 12:36, pa regjistruar ndonjë anomali gjatë udhëtimit.
Regjistrimi audio
Nevzorov, duke cituar burime anonime, shpërndau një regjistrim audio ku një burrë dëgjohet duke paralajmëruar me urgjencë se avioni është një fluturim civil.
“Piloti i fluturimit raporton. Rrugë civile. Leja është dhënë. Jemi objektiv i mbrojtjes ajrore. Përsëris, mbrojtja ajrore po qëllon mbi një fluturim civil. Kjo nuk është një objektiv ushtarak,” dëgjohet zëri në regjistrim.
“Ka njerëz këtu. Përsëris, avioni civil është ngatërruar me një UAV (dron). Rruta është e konfirmuar. Jemi nën zjarr aktiv,” shton ai.
Autoritetet ruse nuk kanë komentuar mbi këtë incident, por raportimi ka shtuar shqetësimet lidhur me episode të tilla të shkaktuara nga ngatërrime, në një kohë kur Moska po përpiqet të zmbrapsë sulmet gjithnjë e më të shpeshta me dronë nga Ukraina.
Në fillim të këtij muaji, mediat azere publikuan një regjistrim audio që sugjeron se një avion i kompanisë Azerbaijan Airlines, i cili u rrëzua në dhjetor pranë qytetit kazak Aktau, mund të jetë qëlluar qëllimisht nga forcat ruse. Në atë incident humbën jetën 38 nga 67 personat në bord, përfshirë dy pilotët dhe një anëtar të ekuipazhit.
Të mërkurën, gjykatësit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) vendosën që Rusia është përgjegjëse për rrëzimin e fluturimit Malaysia Airlines 17 (MH17) mbi lindjen e Ukrainës, ku humbën jetën të gjithë 298 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit.
Vitin e kaluar, The Moscow Times raportoi se forcat ruse kishin hapur zjarr ndaj një avioni tjetër civil pasi e kishin ngatërruar me një dron ukrainas pranë një rafinerie nafte në Bashkurtostan, një republikë në jug të Rusisë.