Nga të gjitha fatkeqësitë natyrore dhe goditjet e mundshme, tërmetet parashikohet të kenë ndikimin më të madh negativ në ekonominë shqiptare.
Referuar raportit më të fundit të Bankës Botërore, i publikuar në nëntor të vitit të kaluar, goditjet e mundshme nga tërmetet parashikohet të ulin PBB-në për frymë me 6 për qind deri në vitin 2030, 11.55 për qind deri në vitin 2040 dhe deri në 15.69 për qind deri në vitin 2050.
Parashikimet bëhen në kuadër të ndikimi negativ që pritet të sjellin ndryshimet klimatike në vendin tonë.
Po ashtu nënvizohet se dëmet nga tërmetet, do të gjeneronin një rënie më të madhe të deficitit të llogarisë rrjedhëse, në rreth 3 pikë përqindjeje të PBB-së deri në vitin 2050.
Raporti vë në dukje se i dëmet e mundshme nga tërmetet, mund do të krijojnë urgjenca që mund të ushtrojnë presion shtesë mbi financat publike dhe mund të prekin shpenzimet të rëndësishme në fusha më tradicionale si shëndetësia dhe arsimi.
Sipas dokumentit, midis vendeve evropiane, Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të rrezikut nga fatkeqësitë dhe ekspozimit ndaj tërmeteve, përmbytjeve, rrëshqitjeve të tokës dhe zjarreve në pyje, të cilat kanë prekur 95 për qind të bashkive shqiptare në dy dekadat e fundit.
Në shtator dhe nëntor 2019, Shqipëria u godit nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë përkatësisht 5.6 dhe 6.4. Sipas Bankës Botërore, tërmeti i nëntorit shkaktoi dëme prej 1.1 miliardë dollarësh amerikanë, ekuivalente me 6.4 përqind të PBB-së së vitit 2018, dhe humbje ekuivalente me 1.1 përqind të tjera. Qyteti i Tiranës, motori kryesor i rritjes ekonomike të Shqipërisë, dhe i Durrësit, një qendër qendrore turistike, u goditën veçanërisht rëndë.
Ndërsa nga viti 1995 deri në vitin 2015, dëmet nga tërmetet në Shqipëri llogariten në rreth 27 milionë dollarë, të cilat përfshijnë 162 ngjarje të ndodhura.
Banka Botërore thekson se edhe pse janë ndërmarrë hapa të kohëve të fundit për të zvogëluar rrezikun e fatkeqësive dhe për të krijuar skema më të integruara sigurimi, Shqipëria ende ka pak instrumente të paracaktuara të financimit të riskut.
Për t’iu përgjigjur fatkeqësive, të cilat aktualisht tejkalojnë mesatarisht 130 milionë dollarë në vit, vendi mbështetet në rialokimin e buxhetit, huamarrjen pas faktit dhe ndihmën e donatorëve. (Elisabeta Dosku)