Me një letër publike drejtuar të gjithë emigrantëve shqiptarë, kryeministri Rama i fton të bëhen pjesë e Samitit 3 ditor të Diasporës që do të mbahet në Tiranë, në datat 13-14 dhe 15 prill.
Samiti i prillit është konceptuar si një hapësirë diskutimi mbi marrëdhënien e re të Diasporës shqiptare dhe shtetit të tyre amë, me qëllimin për ta kthyer atë në potencial të zhvillimit të vendit.
“Dija juaj në shoqëritë ku jetoni, përvoja juaj në çdo nivel të punës dhe lidhjet tuaja janë një pasuri e madhe e kombit tonë. Ju ftoj të jeni pjesë e Samitit të 4-t të Diasporës Shqiptare për të projektuar së bashku rolin tuaj në rrugëtimin drejt Shqipërisë 2030 në BE dhe Ju pres me mirënjohje për gjithçka bëtë, e me besim në gjithçka do të vazhdoni të bëni”, thotë Rama.
Ata që prej vitesh kanë kontribuuar për familjet dhe vendin e tyre përmes remitancave, Rama thotë se ka ardhur koha të shihen si një faktor real në shoqëri.
“Ju nuk jeni më thjesht lekëdërgues bujarë e vëzhgues të kujdesshëm të Shqipërisë, por edhe ndërtues aktivë të së ardhmes së atdheut tonë të përbashkët”, shprehet Rama.
Samiti i prillit është pikërisht hapësira ku do të diskutojmë se si ta kthejmë këtë stad të ri marrëdhënieje në një energji të re për një motor të shtuar të zhvillimit të Shqipërisë.
Zgjedhjet që lamë pas treguan se Shqipëria nuk është më një vend me kufij të ngushtë gjeografikë, por një komb që merr frymë dhe vendos kudo ku rreh një zemër shqiptare. Për herë të parë, zëri juaj u konkretizua përmes votës suaj të drejtpërdrejtë.”
Ky është edicioni i katërt i Samitit të Diasporës, i organizuar për herë të parë në vitin 2023.