Çmimi i Madh i Singaporit rikthen emocionet në garën për titullin Botëror në Formula 1. Në rrugët e ngushta dhe teknike të “Marina Bay”, ku zhvillohet gara e 18-të e sezonit, Oskar Piastri do të përpiqet të thellojë avantazhin në krye të renditjes. Piloti australian i MekLarenit ka 25 pikë më shumë se shoku i skuadrës, Lando Norris. Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar Maks Vershtapen: holandezi është 69 pikë pas kreut, por vjen nga dy fitore radhazi dhe synon të shtyjë dorëzimin e fronit.
CIRKUIT QË SFIDON GJITHÇKA – “Marina Bay Street Circuit” ka një gjatësi prej 4.940 km dhe konsiderohet si një ndër pistat më kërkuese për sistemet e frenimit. Inxhinierët e Brembo e vlerësojnë me një nivel vështirësie 4 nga 5. Nga 11 pikat e frenimit që ka pista, pesë janë veçanërisht të ashpra, të gjitha me një decelerim prej 4.9 g. Një nga pikat më kritike është kthesa 1, e njohur për incidentin famëkeq mes Sebastian Fetelit, Kimi Raikonenit dhe Maks Vershtapenit, që i kushtoi gjermanit garën për titull në atë sezon.
Në këtë kthesë, pilotët kalojnë nga 301 km/h në 153 km/h brenda 79 metrash dhe 1.39 sekondash. Një tjetër sfidë është kthesa 7, ku shpejtësia bie nga 308 km/h në 128 km/h përmes 96 metrash në 1.9 sekonda. Edhe kthesa 10 është veçanërisht kërkuese, me frenim nga 260 km/h në 143 km/h në vetëm 67 metra dhe 1.26 sekonda. Menjëherë pas saj vjen kthesa 14, një tjetër pjesë që e sfidon fort sistemin e frenimit: nga 278 km/h në 93 km/h brenda 91 metrash në 2 sekonda. Pika e fundit kritike është kthesa 16, një shikane që të çon drejt dy kthesave të shpejta përmbyllëse. Aty frenimi zbret shpejtësinë nga 292 km/h në 107 km/h brenda 93 metrash në 1.9 sekonda.
HISTORIA – Singapori ka pritur 15 Çmime të Mëdha të Formulës 1 deri më sot. Në “Marina Bay” pritet të thyhet barazia mes tri skuadrave më të suksesshme në këtë pistë: Ferrarit, Red Bullit dhe Mercedesit, që kanë nga katër fitore secila. Më pas vjen MekLaren me dy triumfe, ndërsa Renault ka vetëm një, që gjithsesi mbetet i kontestuar për shkak të çështjes së famshme “Crashgate” të vitit 2008. Askush në grilën aktuale të pilotëve nuk e njeh këtë pistë më mirë se Luis Hamilton. Britaniku ka fituar katër herë në Singapor dhe synon të barazojë rekordin e Sebastian Fetelit, i cili ka pesë fitore, e fundit në vitin 2019 me Ferrarin.