Pavarësisht marrëdhënieve politike të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të mallrave që hyjnë në tregun kosovar, duke theksuar rëndësinë ekonomike të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, shkruan Demokracia.com.
Të dhënat për importin në muajin korrik 2025 tregojnë se vlera e mallrave të importuara nga Serbia në Kosovë ka arritur në 17,740,616.01 euro, duke vazhduar kështu trendin e rritjes së tregtisë me të, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten gjithashtu ndër furnizuesit kryesorë.
Sipas të dhënave zyrtare doganore për periudhën janar-korrik 2025, Serbia ka kaluar Shqipërinë në vlerën totale të mallrave të importuara në Kosovë, duke iu afruar shumë Maqedonisë së Veriut, që mbetet partneri kryesor ekonomik i Kosovës në rajon.
Gjatë këtyre shtatë muajve, Kosova ka importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 118,604,150.94 euro, ndërsa nga Shqipëria janë importuar mallra me vlerë prej 96,685,804.41 euro. Maqedonia e Veriut vazhdon të kryesojë listën me një vlerë totale importesh prej 119,329,730.46 euro.
Këto shifra tregojnë se pavarësisht sfidave politike, Serbia ka rikthyer rëndësinë e saj si partner kyç ekonomik për Kosovën, duke reflektuar një dinamizëm të tregtisë rajonale që nuk ndikohet lehtë nga tensionet politike.
Pra, Shqipëria qëndron në vendin e tretë me importe në vlerë prej 96,685,804.41 euro, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia kanë vlera dukshëm më të ulëta.
Në këtë panoramë të tregtisë rajonale, Serbia po afron shpejt Maqedoninë, duke tejkaluar Shqipërinë dhe duke dëshmuar se marrëdhëniet ekonomike ndonjëherë mbijetojnë edhe në sfondin politik të vështirë.
Nga ana tjtër, Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga importet, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel të lartë shqetësues, shkruan Demokracia.com.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm gjatë muajit qershor 2025, deficiti tregtar ka arritur në 498,3 milionë euro, një rritje prej 17,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky bilanc negativ ndodh përkundër rritjes modeste të eksporteve, të cilat nuk po arrijnë ta mbulojnë as së afërmi vrullin e importit.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave nga Kosova në qershor 2025 kishte vlerën 80,4 milionë euro, ndërkohë që importi arriti në 578,7 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej 9,5% për eksportet dhe një rritje shumë më të lartë – 16,0% për importet, krahasuar me qershorin e vitit 2024.
Raporti tregon se eksportet mbulojnë vetëm 13,9% të importeve, një tregues që vazhdon të flasë për një strukturë të brishtë të prodhimit vendor dhe për një pabarazi të thelluar në raportet tregtare.
Sipas të dhënave, eksportet dominohen nga metalet bazë dhe produktet plastike, ndërsa në grupin e importeve kryesojnë produktet minerale, makineritë dhe mjetet e transportit, tregues se ekonomia e vendit vazhdon të jetë e varur nga mallrat e gatshme dhe inputet e jashtme për funksionimin bazik.
Në aspektin gjeografik, Kosova eksporton më së shumti drejt vendeve të CEFTA-s (45,9% e eksporteve), ku kryesojnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, importet vijnë kryesisht nga Bashkimi Evropian (43,1%) dhe vendet e tjera të botës si Kina dhe Turqia, të cilat së bashku përbëjnë gati gjysmën e totalit të importeve.