Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka shprehur kritika ndaj procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar si të padrejtë mbajtjen e tyre në paraburgim për një periudhë kaq të gjatë pa një vendim përfundimtar.
Në një intervistë për ABC News Albania, Serwer tha se nuk beson që Hashim Thaçi ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në në mënyrën që pretendohet nga prokuroria.
“Megjithatë, mendoj se është e padrejtë që njerëzit të mbahen në burg për pesë vite pa një vendim përfundimtar. Unë e njoh personalisht Hashim Thaçin. E kam takuar menjëherë pas luftës, gjatë vizitës së tij të parë në Uashington. Në atë kohë nuk besoj se ai kishte autoritet komandues mbi UÇK-në në mënyrën që pretendojnë prokurorët”, ka deklaruar Serwer.
Ai ka pranuar se kishte mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, duke besuar se akuzat për trafik organesh do të shqyrtoheshin dhe do të rrëzoheshin përmes procesit gjyqësor.
“Nuk ka dyshim që pas luftës ka pasur dhunë, përfshirë ndaj serbëve dhe përplasje mes mbështetësve të UÇK-së dhe LDK-së. Këto ngjarje ishin shumë fatkeqe. Megjithatë, akuzat për trafik organesh, të cilat çuan në krijimin e tribunalit, ishin të rreme. Unë vetë mbështeta krijimin e gjykatës sepse besoja se ato akuza nuk do të qëndronin. Në këtë kuptim, kam gabuar”, është shprehur ai.
Sipas Serwer, Gjykata Speciale ka shpenzuar shumë burime për një proces që, sipas vlerësimit të tij, ka ngritur pikëpyetje serioze lidhur me drejtësinë dhe procedurat gjyqësore.
Shpërndaje