Dhjete vjet më parë Ina Balla luftonte një nga betejat më të vështira të jetës së saj, atë me kancerin e gjirit.
Sot ajo këtë betejë e ka fituar, por sfida të tjera i kanë dalë përpara. 46 vjeçe dhe nënë e vetme e dy vajzave, Ina Balla lufton për mbijetesën e përditshme, mes vështirësive të mëdha ekonomike.
“Kështu kemi përfunduar me borxhe, me kredira. Për shembull të më llogaris vetëm qera, drita, uji mua më shkojnë 500.000 lekë sepse unë kam qera 35.000 lekë. Janë goxha detyrime. Për shembull këtu që jam me kanë mbështetur një çik se të shkoj diku tjetër të nxjerrin jashtë, edhe e kanë bërë më parë më kanë nxjerr”,- thotë ajo.
Dikur Ina siguronte të ardhura duke shitur artikuj të ndryshëm me një leje nga Bashkia, pranë Zogut të zi. Këtë vit lejen nuk ia rinovuan. Ajo nuk di të thotë pse dhe ka mbetur vetëm me ndihmën sociale prej 8 mije lekësh.
“Tani me këto rrumuja, i hoqi ky tendat, edhe unë kam hequr tendën te puna edhe për momentin nuk ma kanë rinovuar lejen edhe jam pa punë. Më intereson shumë ajo leja, e kam të nevojshme sepse mbaj familjen. Edhe unë kam qenë deri dje, për shembull aty në rrugë që jam. E mira, mirës, jo vetëm për mua për njerëz vërtetë që kanë nevojë, njerëz që kërkojnë mbështetje për shembull pse mos të ndihmohemi, një strejë diçka që të punojmë të shesim të hamë bukë dhe neve”,- thotë Ina Balla.
Megjithatë, forca e saj buron nga dy vajzat.
“Vajza e madhe është- vdes nëna vet- është për IT në shkencat kompjuterike. Vazhdon Vitin e tretë vajza e vogël- drita e nënës vet- është Sami Frashri gjimnaz vit i parë. Arsyeja për guximin, për kurajon për mbështetjen që unë kam pasurishin ato vajza. Për ato vajza I kam bërë”,- shprehet ajo.
Ajo nuk do t’i rëndojë vajzat duke folur shpesh për traumën e sëmundjes së saj, edhe pse ajo vet I kujton shumë mirë momentet e parë kur e kuptojë.
“Kam qenë me shtëpi kisha stres, mërzitje. Ka qenë ora 1 e natës. S’flija gjumë, po më zinte fryma. O zot kam thënë, vura dorën të gjoksi që të marr frymë. Dora preku një si tip kokrre. Për çuditë madhe e kisha si dyshim se çmë shtynte një instikt që shko bëj një vizitë, bëj një kontroll. Kur preka atë kokrën dyshova, më dogji. Shikoja fëmijët, qaja, u mërzisja, stres. O zot se është rrallë dikur se ky kancer i ka marrë shumë jetë njerëzish. Rrallë quaj veten me fat që të shpëtosh të bësh. Edhe mendova më të keqen. Normal thashë po këto vajza i kisha të vogla. Madja ishte 10 vjeç e gjysëm e vogla pesë vjeç. Thashë si do bëj? Si do shkojë jeta ime? Këto vajza? Rrija qaja”,- deklaron Ina.
Mjekimet nuk ishin të lehta. Përveç efekteve të forta anësore, ajo pësoi edhe trombozë në sy, për të cilën iu desh një ndërhyrje.
Edhe pse ka kaluar shumë dhimbje, Ina ruan buzëqeshjen dhe mesazhin e saj për gratë që po përballen me kancerin është i qartë:
“Kanceri duhet marrë me sportivitet dhe kurajo, pasi është një sëmundje që ndikohet thellësisht nga psikologjia”,- tregon Ina.
Sot ajo kërkon vetëm një gjë, një strehë të sigurt për vajzat e saj.
“Kërkoj mbështetje me një shtëpi për vajzat e mia, të cilën mund ta paguajë avash avash, si punë qiraje, por të paktën të mos rrezikojë të nxirremi jashtë. Vajzat të mos vuajnë siç kam vuajtur unë me qiratë, dhe të gëzohen. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për të rritur vajzat”,- apelon ajo.