Të shtunën mbrëma, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ajror të koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi lajmin përmes rrjetit të tij social Truth, duke deklaruar: “Kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore. Të gjitha avionët tanë janë larguar nga hapësira ajrore iraniane dhe janë në rrugë të sigurt drejt bazave. Fordow, objekti kryesor, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta bënte këtë. Tani është koha për paqe”..
Në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë, Trump sqaroi se sulmi kishte për qëllim ndalimin e kërcënimit bërthamor nga “shteti i parë që sponsorizon terrorizmin”. Ai deklaroi se objektet bërthamore iraniane janë “thuajse plotësisht të shkatërruara” dhe i bëri thirrje Iranit që të zgjedhë paqen, duke përmendur viktimat e shumta që, sipas tij, janë shkaktuar nga veprimet iraniane gjatë dekadave.
Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën bomba “bunker-buster” (sipas CNN 14 të tilla) me peshë 14 ton secila. Ndërkohë, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.
Trump falënderoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ushtrinë izraelite për bashkëpunimin, duke deklaruar se “kurrë më parë nuk është vepruar si një skuadër kaq e koordinuar”.
Nga ana tjetër, Irani reagoi me vendosmëri përmes Organizatës për Energjinë Atomike, duke deklaruar se “zhvillimi i industrisë bërthamore nuk do të ndalet, pavarësisht konspiracioneve djallëzore të armiqve”. Sipas tyre, kjo industri është fryt i punës dhe gjakut të “dëshmorëve bërthamorë”.
Kryeministri izraelit Netanyahu vlerësoi lidershipin e Trump, duke thënë: “Historia do të kujtojë se Presidenti Trump veproi për t’i mohuar regjimit më të rrezikshëm në botë armët më të rrezikshme në botë”. Ai shtoi se kjo goditje mund të hapë një të ardhme të begatë për Lindjen e Mesme dhe falënderoi SHBA-në për aleancën e palëkundur.