Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në takimin e djeshëm me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në Uashington, ndër të tjera, theksoi “nevojën që aleatët e NATO-s të mbështesin dhe të arrijnë pesë përqind për shpenzimet e mbrojtjes”, njoftoi Departamenti i Shtetit, transmeton Gazeta 17 Shkurti.
Ministri Mucunski, në një postim në Facebook në lidhje me takimin, tha ndër të tjera se ai dhe Rubio shkëmbyen mendime edhe mbi “bashkëpunimin e sigurisë brenda NATO-s, ku ne vazhdojmë të japim një kontribut aktiv si një aleat i besueshëm, me investime prej mbi 2% të PBB-së në sektorin e mbrojtjes”.
Ai tha gjithashtu se diskutuan edhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare, “duke arritur një hap të rëndësishëm përpara në drejtim të uljes së tarifave dhe fillimit të procesit të nënshkrimit të një Marrëveshjeje të Tregtisë së Lirë”.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski tha se ideja e promovuar nga SHBA-ja që shtetet anëtare të NATO-s të ndajnë së paku 5 përqind të BPV-së së tyre kombëtare për mbrojtjen është një qëllim shumë i vështirë për t’u arritur për Maqedoninë e Veriut.
Misajllovski nuk përjashton që me politika dhe kursime të mira, vendi do të mund të rrisë buxhetin e mbrojtjes, i cili tani është rreth 2 përqind e BPV-së dhe, siç thotë ministri, kjo është një shumë serioze që po ndahet.
“Për të arritur në pesë përqind, duhet të rrisim gradualisht zërin tonë, pra përqindjen e buxhetit nga BPV-ja. Shpresoj se do të bëjmë politika të mira, se do të kemi kursime ku mund të rrisim më tej buxhetin për modernizim, sepse ka një përqindje të atij buxheti që duhet të dedikohet”, theksoi ministri.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, prej se është bërë anëtare e NATO-s, vazhdimisht ka shënuar rritje në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.