Abuzimi me droga apo substanca të tjera të dëmshme mbetet një shqetësim i madh tek moshat e reja, duke çuar edhe në probleme të shëndetit mendor.
Kështu shprehet Megi Marku, drejtuese e projektit “Të Rinjtë për të Rinjtë”, i cili po zbatohet në Shkodër, mbështetur nga UNESCO në bashkëpunim me Qendrën e Këshillimit dhe Shërbimeve Psikologjike.
“Akoma stigmatizohet diskutimi për shëndetin mendor, ndaj ne dëshirojmë që ta normalizojmë dhe të flasim e të diskutojmë për problemet që ne i përballojmë. Ndoshta nëpërmjet ankthit, ndoshta nëpërmjet varësisë, që po ashtu është një problem në rritje. Abuzimi me drogën, abuzimi me substancat e tjera… ndaj ne dëshirojmë që të rinjtë të kenë mundësi t’i diskutojnë këto pa pasur frikën se do të gjykohen dhe në këtë mënyrë ata të kenë mundësi që së bashku të mblidhen dhe të jenë më të hapur me njëri-tjetrin,” u shpreh Megi Marku, drejtuese e projektit “Të Rinjtë për të Rinjtë”.
Sipas Markut, shkaqet socio-ekonomike, veçanërisht ato që lidhen me vështirësitë financiare, shpesh bëhen arsye që mund të çojnë të rinjtë drejt problemeve të ndryshme.
“Shkaqet janë sociale dhe ekonomike dhe nxjerrin në pah problematikat që i bëjnë të rinjtë të bien pre ose të substancave ose të bien emocionalisht më poshtë.”
Me moton “Ne besojmë në fuqinë e të rinjve”, projekti synon të kapërcejë boshllëqet në shërbimet e shëndetit mendor në rajonin e Shkodrës. Përmes kësaj nisme, fuqizohen të rinj të diplomuar në psikologji dhe punë sociale, të cilët do të ofrojnë mbështetje mendore në zonat ku shërbimet rezultojnë më pak të aksesueshme.