Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo shprehet se çdo punonjës shteti është në atë detyrë për t’i shërbyer komunitetit dhe nëse një punonjës nuk e plotësn këtë kriter nuk duhet të qëndrojë asnjë sekondë.
Tavo në një lidhje direkte me gazetarin e Klan News, Besard Jacaj theksoi se ai është më radikal se Kryeministri sa i takon punonjësve të shtetit, teksa u shpreh ‘unë jam jo për t’i tundur, por për t’i shkundur’.
Kreu i bashkisë së Himarës theksoi se çdo punonjës shteti duhet ta konsiderojë veten shërbëtor të komunitetit.
“Unë jam i parimit që çdo punonjës shteti është në atë pozicion për t’i shërbyer komunitetit dhe njerëzve. Nga momenti që një punonjës nuk e plotëson këtë kriter, për mua nuk duhet të qëndrojë asnjë sekondë. Unë jam edhe më radikal se kryeministri, jo për t’i tundur, por për t’i shkundur. Kjo nuk ka lidhje aspak me deklaratat dhe ato që ndodhën në Vlorë apo bashki të tjera, por është qëndrimi im personal. E kam thënë çdo njeri është në provë. Siç jemi ne në provë çdo 4 vite janë edhe ato. Kështu që unë nuk e kuptoj qëndrimin e opozitës, por vazhdoj të them që çdo punonjës duhet ta konsiderojë veten shërbëtor i popullit”, shprehet Tavo.
Kryebashkiaku ndër të tjera ka theksuar se akuzat se drejtorët u përdorën për mbledhjen e votave dhe më pas u shkarkuan nga Kryeministri, janë të pabaza pasi të gjithë kanë qenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre.
“Nuk ka lidhje fare me përdorjen e tyre për të mbledhur vota sepse në rast të parë nëse doni po flas për Himarën dhe asnjë drejtori nuk i është kërkuar të bëjë fushatë për PS, por kanë qenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre. Çdo njeri është i lirë të shprehë vullnetin e tij. Nuk ka pasur asnjë lloj kundërshtie nga ana e stafit apo nga ana ime”, tha Tavo.
Ndërkohë sa i takon takimit të djeshëm me kryeministrin, Edi Rama, kreu i bashkisë Himarë u shpreh se ishte një takim i shkëlqyer ku janë diskutuar tematika të ndryshme.
“Për mua ka qenë një takim i shkëlqyer ku janë ndarë mendime për çështje të ndryshme të pushtetit qëndror dhe janë hapur për diskutim një sërë tematikash ku pjesëmarja e pushtetit vendor është vendimtare dhe prandaj e quaj një takim të përsosur, ku të gjithë kryetarët e kanë ndjekur çdo ministër, por janë angazhuar në këto çështje edhe për ta përmirësuar gjithë procesin. Të gjitha çështjet që janë prekur në këtë takim”, theksoi Tavo.
Sa i takon sezonit turistik, Tavo shprehet se ka një fluks të shtuar dhe se angazhimi i bashkisë është maksimal për mbarëvajtjen.
“Jemi përditë në krye të punëve për të përballuar me sukses sezonin që këtë vit ka nisur më herët, që në fund të prillit dhe nga kontaktet me operatorët janë pothuajse të rezervuara deri nga mesi apo 20 nëntori. Ka një fluks të shtuar dhe angazhimi i punonjësve të bashkisë është maksimal, për t’u shërbyer vizitorëve”, tha Tavo
Sakaq, teksa u pyet për aksionin në Theth, Tavo iu referua Himarës, bashki të cilën tha se aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur shumë më herët. Tavo theksoi i prerë që për zaptuesit e tokave të ketë zero tolerancë.
“Unë do i referohem përsëri Himarës. Në Himarë ka kohë që ka filluar lirimi i hapësirave publike, dhe çdo ditë jemi në aksion. Po jua ritheksoj atë që thashë më përpara. Në Himarë ky aksion ka nisur më herët dhe do të vazhdojë çdo ditë. Zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit. Në këtë rast ata që tentojnë të ndërtojnë paleje, apo zaptojnë toka kjo është shkelje edhe më e rëndë dhe unë jam i parimit zero tolerancë. Bëhet fjalë për një bashki si Himara që konsiderohet si xhevahiri i Mesdheut dhe nuk mund të lejojmë ndërtime pa kriter”, tha kryebashkiaku i Himarës.