Shkencëtarët kanë kapur pamjet e para të një kallamari të ‘pakapshëm’ antarktik që jeton nën Oqeanin Jugor.
Kallamar i rrallë gonate antarktik u pa më shumë se 2,152 metra thellë në ujërat e ngrira të Antarktidës, transmeton Telegrafi.
Kjo është hera e parë që kjo specie e kuqe, me tentakula grep, është parë ndonjëherë e gjallë në habitatin e saj natyror.
Krijesa tre metra e gjatë (një metër) u pa nga studiuesit në bordin e anijes kërkimore të Institutit të Oqeanit Schmidt, R/V Falkor.
Shkencëtarët kishin ndërmend të kërkonin jetë brenda një thellësie prej 3,000 metra pranë majës veriore të Antarktidës të quajtur Pellgu Powell.
Megjithatë, kur akulli i trashë detar pengoi kalimin e tyre, ekipi u detyrua të vendoste mjetin e tyre të telekomanduar (ROV), SuBastian, i cili bëri zbulimin mahnitës.
Pamjet e kallamarit iu dërguan Kat Bolstad, një eksperte kallamarësh nga Universiteti i Teknologjisë i Auckland, e cila e identifikoi atë si një kallamar gonate antarktik.
Dr. Bolstad i tha National Geographic: “Ky është, sipas njohurive të mia, filmimi i parë i drejtpërdrejtë i kësaj kafshe në të gjithë botën”.
Edhe pse shkencëtarët kanë ditur për ekzistencën e kallamarëve gonatë të Antarktidës për më shumë se 100 vjet, të gjitha provat për jetën e tyre vijnë nga ekzemplarët e ngordhur.
Kallamarët janë gjetur në rrjetat e peshkatarëve ose janë ruajtur në stomakun e kafshëve të tjera, por kurrë të gjallë.
Shkencëtarët besojnë se këto krijesa e kalojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre duke jetuar në zonën e mesnatës ose batipelagjike, midis 1,000 deri në 4,000 metra.
Në këto thellësi ekstreme, e vetmja dritë është ajo e prodhuar nga kafshët e çuditshme që jetojnë atje.