Shkëndija e Tetovës ka siguruar një tjetër fitore madhështore në rrugëtimin e saj evropian, duke u kualifikuar për herë të parë në turin e tretë kualifikues të Champions League. Pas fitores minimale 1-0 në ndeshjen e parë, shqiptarët e Tetovës triumfuan edhe në takimin e kthimit ndaj Steauas së Bukureshtit, këtë herë me rezultatin 1-2 në stadiumin “Arena Nationala” në Rumani.
Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 28-të, duke rikthyer për pak çaste shpresën te rumunët. Por reagimi i Shkëndijës ishte i menjëhershëm. Vetëm pesë minuta më vonë, mesfushori Liridon Latifi shënoi një gol të bukur, duke vendosur sërish baraspeshën në rezultat dhe duke i dhënë qetësi skuadrës së drejtuar nga trajneri Jeton Beqiri.
Kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, në minutat e fundit të sfidës, mbrojtësi Krstevski gjeti rrjetën, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin e merituar të kuqezinjve.
Në fazën e ardhshme të kompeticionit më prestigjioz evropian për klube, Shkëndija do të përballet me Qarabagun, kampionen në fuqi të Azerbaixhanit, një sfidë tjetër e vështirë, por jo e pamundur për tetovarët, që tashmë kanë treguar se janë gati për të bërë histori.
Ndeshjen e parë të besuarit e trajnerit Jeton Beqiri do ta zhvillojnë në Shkup më 5 gusht, ndërsa atë të kthimit një javë më vonë në fushën e kundërshtarit. Qarabag eliminoi irlandezët e Shelbourne, duke i mundur gjithashtu në të dyja ndeshjet me rezultatin e përgjithshëm 4-0.
Nëse Shkëndija eliminohet në trurin e tretë të Champions League, do të shkojë në “play off” të Europa League dhe në rast se eliminohet nga aty, do të shkojë në grupet e Conference League.