Ballkani ka marrë një fitore të madhe në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Conference League, duke mposhtur me rezultatin 4-2 skuadrën malteze të Florianas në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Sfida nisi në mënyrë surprizuese për ‘portokallinjtë’ që kanë në stol Orges Shehin, pasi Floriana fitoi një penallti që në minutën e 8-të, të cilën e ktheu në gol Jake Grech për 0-1. Reagimi i Ballkanit erdhi menjëherë dhe në minutën e 13-të Almir Kryeziu asistoi për Bleart Tolajn që barazoi shifrat në 1-1.
Miqtë nuk u ndalën dhe në minutën e 25-të Mustapha Jah riktheu avantazhin për Florianën. Ballkani u tregua sërish i pathyeshëm në shpirtin e garës. Vetëm pak minuta më vonë, Sunday Adetunji barazoi në 2-2 pas një asistimi të bukur nga Giovani.
Në minutën e 32-të, Ballkani kaloi për herë të parë në epërsi. Adetunji këtë herë bëri rolin e ‘kamerierit’, ndërsa Tolaj kompletoi dopietën personale me një gol të bukur për 3-2. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, ndodhi një incident i pazakontë, teksa energjia elektrike u ndërpre në stadium, duke detyruar gjyqtarin të ndërpresë ndeshjen dhe të dërgojë ekipet në pushim para kohe.
Pjesa e dytë nisi me Ballkanin më agresiv në sulm. Skuadra nga Suhareka krijoi raste të shumta dhe në minutën e 74-t, Geralb Smajli asistoi bukur për Adetunji, i cili ‘vulosi’ rezultatin me golin e tij të dytë personal për Ballkanin. Ballkani pati mundësi edhe për një gol të pestë, por pa sukses.
Me këtë fitore me dy gola epërsi, Ballkani merr një avantazh të rëndësishëm përpara ndeshjes së kthimit në Maltë, ku do të kërkojë të ‘vulosë’ kualifikimin për më tej në garat evropiane.