Skene paniku të drejtpërdrejta u regjistruan në ishullin Java të Indonezisë, pasi vullkani Semeru shpërtheu duke hedhur një re të madhe hiri deri në 2 kilometra lartësi mbi krater.
Banorët e zonave përreth u larguan me nxitim për të gjetur strehë, ndërsa autoritetet urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të të gjithë personave brenda një rrezeje prej të paktën 2.5 km nga vullkani, pasi situata u cilësua tejet e rrezikshme.
Semeru, mali më i lartë i Javës me mbi 3 600 metra, është një nga rreth 130 vullkanet aktivë të Indonezisë, vend që ndodhet pikërisht mbi të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit. Shpërthimi më vdekjeprurës i tij në kohët e fundit ndodhi në vitin 2021, kur humbën jetën të paktën 57 persona nga rrjedhat e papritura të lavës dhe gazrave të nxehtë.
Ndërkaq, Qendra Australiane për Paralajmërimin e Hirit Vullkanik lëshoi alarm të kuq për aviacionin, duke njoftuar se reja e hirut mund të ndikojë seriozisht në fluturimet në zonë.