Vijojnë sulmet Izrael-Iran. Shpërthime të fuqishme u raportuan në Tel Aviv dhe Jerusalem. IDF vret shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm iranian vetëm 4 ditë pas emërimit në detyrë. Trump largohet herët nga samiti i G7 në Kanada dhe paralajmëron për evakuimin e banorëve në Teheran
Irani ka shënjestruar sërish Izraelin. Shpërthime të reja u raportuan gjatë natës në Izraelin qendror, ndërkohë që IDF konfirmoi se Irani kishte lëshuar rreth 20 raketa balistike në sulmin e fundit. Sulme pati në Tel Aviv dhe Jerusalem. Një raketë ra në një parking në Izraelin qendror, duke shkaktuar dëme dhe duke i vënë flakën një autobusi bosh. Një tjetër goditi Herzliya-n, një qytet disa kilometra në veri të Tel Aviv-it.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan sot se kishin eliminuar shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm iranian Ali Shadmani pasi goditën gjatë natës një qendër komande operative në Teheran. Shadmani u emëruar për të udhëhequr Forcat e Armatosura Iraniane katër ditë më parë pas eliminimit të paraardhësit të tij, Alaa Ali Rashid në ditën e parë të ofensivës izraelite.
“Brenda natës, Forcat Ajrore Izraelite, duke përdorur inteligjencën e saktë të marrë nga Drejtoria e Inteligjencës së IDF-së dhe duke shfrytëzuar një mundësi të papritur, goditën një qendër komande operative në zemër të Teheranit, duke eliminuar Ali Shadmani-n, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të kohës së luftës, komandantin më të lartë ushtarak të Iranit dhe krahun e djathtë të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei “, tha IDF në deklaratë.