Përveç sulmeve kibernetike të panumërta ditore, në 10 muajt e fundit, në Shqipëri janë regjistruar rreth 50 raste, kur është arritur të kalohet kufiri i parë i mbrojtjes, por pa mundur të provokojë dëme
“Vetëm në një rast siç është rasti që ndodhi tashmë i njohur në bashkinë e Tiranës, ne kemi pasur vërtetë dëme të konsiderueshme, por më lejoni t’ju them që të gjithë ato dëme janë rikuperuar brenda një kohe të shkurtër”, u shpreh Igli Tafa, drejtor i Autoritetet Kombëtar për Sigurinë Kibenertike.
Sulme të niveleve më të ulta, janë të përditshme dhe me një frekuencë të lartë, thuajse çdo tre minuta
“ Aktualisht ne kemi mbrojtur hapësirën tonë kibernetike nga kjo breshëri e paparë ndonjëherë sulmesh kibernetike që vijnë kryesisht nga shteti iranian por edhe grupe të cilët janë të lidhura me shtete të ndryshme. Ajo që unë dua t’ju garantoj është që duhet të rrimë të qetë sepse po tentojmë të krijojmë një mbrojtje universale që fillon nga çdo infrastrukturë e vendit drejt Autoritetit Kombëtar”, tha Tafa.
Drejtori i AKSK theksoi se dobësitë më të mëdha nuk lidhen gjithmonë me teknologjinë, por thuajse në 70-80% të rasteve me keqadministrimin, mungesën e koordinimit dhe gabimet njerëzore që ndodhin në proceset e përditshme të punës.
“Në qoftë se qeverisim mirë pavarësisht se nuk kemi kapacitete teknologjike më të mira të mundshme, ne mund ti parandalojmë. Pa dyshim që inteligjenca artificiale luan rolin e vetë dhe redukton ndjeshëm mundësinë, por mos harroni që inteligjenca artificiale nuk mund ta zëvendësojë kurrsesi gabimet e shumta njerëzore. Dhe e dini ju që gabimet më të mëdha vijnë jo nga ekspertët, por nga proceset e përditshme të punës së punonjësve të institucioneve”, u shpreh Igli Tafa.
AKSK ka miratuar strategjinë e re të sigurisë kibernetike2025-2030, e bazuar në pesë shtylla duke nisur nga investimet për mbrojtjen e institucioneve publike apo edhe private, e deri të përdorimi i inteligjencës artificiale.