21 kamionë qendrojnë prej disa ditësh të bllokuar në doganën e Hanit të Hotit në Shkodër, që lidh vendin tonë me Malin e Zi. Në këto kamionë gjenden plot 520 ton misër, që vendin e origjinës e ka në Serbi.
Ky misër është porositur nga disa kompani shqiptare të cilat më pas do ta shpërndanin në fermat blegtorale. AKU-ja e ka bllokuar misrin serb në bazë të një urdhri të ministrit tonë të Bujqësisë, Andi Salla, i cili kërkon ndalimin dhe kontrollin e produkteve të importuara nga Serbia.
Deri më tani janë kryer analiza për 4 ngarkesa, të cilat kanë rezultuar me nivel të lartë të aflatoksinës. Ndërsa pritet përgjigja e analizave për 17 ngarkesat e tjera.
“Është bllokuar e gjithë sasia deri në pritje të analizave zyrtare. Me përgjigjet e analizave më pas do të ketë një vendimmarrje ose për asgjësimin e plotë të misrit për bagëtitë ose në kthimin e mallit në vendet e origjinës”, tha Ramir Haderi, Drejtor AKU Shkodër.
Qarku i Shkodrës regjistron kështu sasinë më të madhe të misrit të sekuestruar nga AKU në dogana, që arrin në 520 tonë. Ndërsa më herët janë bllokuar sasi më të vogla në Elbasan. Shkak është aflatoksina, një substancë tejet e rrezikshme, kancerogjene që infekton jo vetëm kafshët, por dhe njerezit që konsumojnë mishin e qumështin. Aflatoksina demton mëlçine dhe organe të tjera jetësore.