Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja mori pjesë në takimin ministerial të Procesit të Berlinit, të Ballkanit Perëndimor, mbi ekonominë kreative, në Kotor, Mali i Zi, ku u shpall Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative.
Gjatë këtij takimi ministri Gonxhja u takua me të Ngarkuarën Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, zyrtarë të lartë të Zyrës Qendrore të British Council si dhe John Newbigin, ambasador i kryebashkiakut të Londrës për ekonominë kreative.
“Shqipëria u vlerësua për kontributin dhe përfaqësimin dinjitoz në nismat kulturore dhe ekonomike evropiane. U vlerësua veçanërisht krijimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si një qasje vizionare e qeverisjes, në përputhje me agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovativ”, bën të ditur MEKI.
Vetë organizimi i një ministeriali mbi ekonominë kreative nën suazën e Procesit të Berlinit, ku analizohet ndërveprimi i sektorëve të ekonomisë, kulturës e inovacionit, vërteton rëndësinë e vizionit tonë në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet pozitive në risi, politika e reforma të lidhura me industrinë kreative, sipërmarrjet e reja, start-up, turizëm kulturor, arsim profesional, artizanat, inovacion e teknologji të reja.
Raundi i parë i fondeve u autorizua menjëherë, ndërsa i dyti zyrtarizohet në tetor në Londër, duke konfirmuar mbështetjen direkte për ekspertizë, projekte dhe programe zhvillimore.