Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Andi Hoxhaj, në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News se mesazhi i Bashkimit Europian për zgjerimin është një sinjal i mirëpritur, që tregon vullnet të qartë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, nga ana teknike, Shqipëria mund ta përmbyllë procesin e negociatave deri në vitin 2027, ndërsa anëtarësimi i plotë mund të ndodhë deri në vitin 2029, duke qenë pjesë e BE-së brenda vitit 2030.
“Mesazhi është shumë i mirëpritur. Tregon vullnetin për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Mendoj se kjo shtyn të gjitha palët që të arrijnë deri tek faza finale. Ana teknike është rrugëtim që mund të mbyllet deri në vitin 2027, dhe më pas deri në vitin 2029 Shqipëria të jetë në BE brenda 2030. Klima ka ndryshuar dhe BE është bërë më e hapur për integrim, kjo ka ndikuar edhe lufta në Ukrainë. BE është duke zhvilluar një shtyllë të re që është ajo e mbrojtjes.”
Hoxhaj theksoi se klima politike në BE ka ndryshuar dhe se Bashkimi Europian është bërë më i hapur ndaj integrimit të vendeve të reja, veçanërisht pas luftës në Ukrainë.
Ai shtoi gjithashtu se Komisioni Europian ka theksuar rëndësinë e mbështetjes popullore për integrimin, dhe në këtë aspekt Shqipëria qëndron më lart se vendet e tjera të rajonit, me një përqindje më të madhe qytetarësh që mbështesin anëtarësimin në BE.
“Në rastin e Shqipërisë, ne nuk kemi probleme si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe siç është Ukraina dhe Gjeorgjia. KE e theksoi që duhet të ketë një mbështetje popullore, Shqipëria ka një përqindje më të lartë se vendet e tjera. Shqiptarët janë më shumë pro europianë. Ne kemi bërë gjithashtu të gjitha reformat sa i takon ndikimit të ligjit, reforma në drejtësi dhe kjo jep një peshë sa i takon grup-kapitujve. BE po përjeton një moment historik, por aktualisht po shohim që është kthyer në një pikë gjeopolitike.”