“A Place in the Sun” nga artisti Genti Korini, një vepër që rikthen në qendër historinë e ndërprerë të modernizmit shqiptar dhe mënyrën se si vendi ka ndërtuar ndër vite imazhin e vet ndaj botës është projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e 61-të të Artit në Venecia.
Projekti ndërthur video-instalacione, pikturë, skenografi arkivore dhe elementë vizualë që vënë përballë idealet e së kaluarës me realitetet e sotme. “A Place in the Sun”, thotë ai, është një kërkim mbi ëndrrat e pambaruara të një shoqërie që ka dashur gjithmonë të pozicionohet diku në dritë.
“Ky projekt është një vazhdimësi i interesit tim kërkimor dhe të artit mbi procesin e modernizmit dhe modernitetit. Çfarë marrëdhënie kemi ne si vend me avangardat e shekullit XX, që kemi një shkëputje kulturore ose një mosprekje të kësaj fushe. Për mua gjithmonë ka qenë një kuriozitet për ta investiguar edhe për ta kuptuar ku çon ajo ose çfarë lloj boshllëqesh, çfarë lloj situatash prodhon. Arti shqiptar është shumë i fragmentuar në nga anën historike. Ka një moment interesant për mua që artistëve shqiptarë iu mohua, si të thuash, e drejta për të qenë modernistë. Papritur në vitet ’90-të, kur u hap si të thuash loja, ata të gjithë vendosën të bëheshin modernistë, po prapë ishin mbrapa kohe.”, tha Korini.
Vepra e Korinit u përzgjodh mes 17 aplikimeve përmes një procesi që këtë vit solli një risi: thirrjen e hapur ndërkombëtare dhe një juri të pavarur me pesë ekspertë: Adela Demetja, Katerina Gregos (drejtoreshë e muzeut EMST në Athinë, një nga zërat më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Evropë), Blanche de Lestrange, Elian Stefa dhe Arnisa Zeqo.
Sipas jurisë, “A Place in the Sun” dallohet për thellësinë konceptuale dhe saktësinë vizuale, duke ndërthurur kërkimin arkivor, folklorin dhe imagjinatën për të eksploruar mënyrën se si ideologjia dhe kujtesa formësojnë identitetin dhe hapësirën. Projekti krijon ura mes së shkuarës shqiptare dhe lidhjeve historike me Bashkimin Sovjetik, përmes një qasjeje eksperimentale dhe shumëdimensionale. Në bashkëpunim me kuratoren Małgorzata Ludëisiak, Korini sjell një dialog të pasur vizual dhe intelektual, që komunikon me teatrin eksperimental polak.
Sipas drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Arteve, Adela Demetja, niveli i aplikimeve ishte më i larti i viteve të fundit, me projekte të kompletuara teknikisht dhe konceptualisht.
“Njëra nga detyrat kryesore të Galerisë Kombëtare, që me themelimin e saj është edhe përfaqësimi ndërkombëtar i Shqipërisë në evente jashtë Shqipërisë. Pas viteve ’90-të, le të themi se galeria e ka humbur këtë rol në procesin e përzgjedhjes së bienales, ndoshta sepse edhe kushtet kanë qenë të tilla, që duhet një koordinim shumë i mirë dhe ky koordinim në këtë rast ka ardhur edhe në mënyrë të natyrshme.”, tha Demetja.
Zëvendësministrja e Kulturës, Lira Pipa, theksoi se Ministria qëllimisht u tërhoq nga vendimmarrja për t’ia lënë procesin profesionistëve, duke garantuar transparencë dhe standard të ri për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienale. Ajo shtoi se Galeria Kombëtare do të udhëheqë menaxhimin e pavijonit edhe në edicionet e ardhshme, duke krijuar stabilitet institucional.