Votohet edhe në qarkun e Korçës/ Demokrati Luan Tollozhina godet komisionerin e PS në Pogradec, shoqërohet në komisariat! OSBE vëzhgon procesin në terren
Në qarkun e Korçës, procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare ka nisur, ku janë shënuar edhe incidentet e para.
Luan Tollozhina, i njohur si një nga mbështetësit e Partisë Demokratike në Pogradec, ka goditur komisionerin e Partisë Socialiste, Entin Gega, në qendrën e votimit. Burime nga policia bëjnë me dije se shkak për incidentin kanë qenë motive të dobëta që lidhen me një ngacmim të komisionerit kundrejt vajzës së Tollozhinës. Incidenti nuk ka lidhje me procesin e votimit. Mësohet se Tollozhina e ka goditur komisionerin brenda një qendre votimi, ndërsa gjithashtu ka pështyrë dhe ofenduar një qytetare. Burime nga policia konfirmojnë se Tollozhina është shoqëruar në komisariat, ndërsa pritet që komisioneri të bëjë edhe kallëzim.
“Rreth orës 10:20, shtetasi E. G., që është komisioner në qendrën e votimit nr.3901/00 Pogradec, ka njoftuar tek salla operative, se brenda ambienteve të qendrës së votimit është goditur nga shtetasi L. T., Menjëherë është shkuar në afërsi të qendrës së votimit, dhe është bërë shoqërimi i shtetasit L. T., për në ambientet Komisariatit. Në Komisariat është paraqitur dhe shtetasi E. G., për të bërë kallëzim”,-njofton policia.
Ndërkohë një tjetër konflikt ka ndodhur pranë qendrës së votimit në shkollën “Muhamer dhe Esat Minarolli” gjithashtu në Pogradec. Në ambientet e jashtme të kësaj qendre është shënuar një përplasje fizike, ndërsa ende nuk dihen shkaqet dhe personat e përfshirë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë.
Në qendrën e votimit në Sovjan u vonua nisja e votimit për shkak të mosfunksionimit të pajisjes PEI, por u vijua manualisht. Në fshatin Baban të Devollit u ndërpre gjithashtu procesi për shkak të djegjes së pajisjes PEI, por u zëvendësua me një tjetër.
Ndërkohë 36 të burgosurat e IEVP Pojskë kanë përfunduar votimin në qendrën e fshatit Piskupat, nën masa të rrepta sigurie shoqëruar nga forcat e policisë të rendit dhe të burgjeve.
Mësohet se OSBE po vëzhgon nisjen e procesit në Pogradec.
Qarku i Korçës ka 10 mandate, 3 kandidatë për deputetë janë në listën e mbyllur dhe 10 në listën e hapur.
Votohet në Qarkun Shkodër/ Një qendër votimi nuk është hapur në Dukagjin! Voton kryebashkiaku Beci: Secili të gjejë kohë për të kryer detyrën qytetare
Në qarkun e Shkodrës po vijon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare. Votimi nisi në 07:00 dhe do të vijojë deri në 19:00. Vetëm një qendër votimi nuk është hapur në Dukagjin.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i cili votoi këtë mëngjes për parlamentin e ri të vendit, u bëri thirrje qytetarëve të kryejnë “këtë detyrë qytetare të votimit”.
“Fushatë shumë qytetare shumë e qetë, siç është vetë Shkodra. Shpresojnë të shkojë kështu deri në fund ditës sot dhe secili të gjetë kohën për të ardhur dhe për të kryer këtë detyrë qytetare të votimit dhe pastaj ju uroj të gjithëve një të dielë të bukur me familjet e tyre”,- tha Beci
Në qendrën Bruçaj mungon energjia elektrike dhe po punohet për rikthimin e saj. Materialet zgjedhore janë në çdo qendër por akoma nuk janë plotësuar numri i anëtarëve të komisioneve për shkak të distancës gjeografike pasi shumica e tyre jetojnë në Shkodër ose në rrethina.
Ky qark nxjerr 9 mandate në total. Sa i takon kandidatëve, 4 janë në listën e mbyllur dhe 11 në listën e hapur.
Gjirokastër/ Bllokohet procesi në dy qendrat e votimit në fshatin Frashtan të Dropullit, 80 të paraburgosur të regjistruar për të votuar!
Në qarkun e Gjirokastrës po vijohet me procesin e votimit. Në 4 qendra votimi në bashkinë e Dropullit dhe 2 në Bashkinë e Libohovës do të bëhet identifikim manual jo elektronik si pasoje e kontraktimit te pajisjes. Ndërkohë janë regjistruar 80 të paraburgosur për të votuar.
Ndërkohë bëhet me dije se është bllokuar procesi i votimit në dy qendrat e votimit në fshatin Frashtan, Dropull. Shkak i ndërprerjes është pasi kryetari i komisionit pretendon se një policie bashkiake orientonte qytetarët se kujt duhet t’ia jepnin votën e tyre.
“Të më kap në shkelje mua ai legeni. Më thotë një anëtar i KQZ më thotë ke shkelur procedurat që ke mbyllur procesin e votimit. Të hapen kamerat se ajo zonja më ka identifikuar”, tha kryetari i komisionit.
Qarku i Gjirokastrës zgjedh 4 deputetë, 1 kandidat është në listën e mbyllur dhe 4 në listën e hapur.
Votohet në qarkun e Tiranës! Kontejnerët në Astir të kthyer në qendra votimi ende s’janë gati, qytetarët presin në radhë
Në Astir, në kontejnerët e kthyer në qendra votimi nuk ka nisur ende procesi i votimit.
Prej orës 07:00 po votohet edhe në qarkun e Tiranës, i cili prodhon 37 mandate në këto zgjedhje. Në Astir, në kontejnerët e kthyer në qendra votimi nuk ka nisur ende procesi i votimit. Në videon që sjell Report TV, votuesit e kontejnerëve presin në radhë se 22 qendrat nuk janë bërë gati.
12 kandidatë janë në listën e mbyllur të Tiranës dhe 37 në listën e hapur.
Votohet në qarkun e Lezhës, kryetari i bashkisë: Sot është dita e qytetarëve
Edhe në qarkun e Lezhës, po vijon normalisht procesi i votimit. Në këtë qark janë 254 qendra votimi dhe 164,976 zgjedhës.
Pas votimit kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në një prononcim për mediat u shpreh se sot është dita e qytetarëve.
“Procesi i votimit vijon normalisht. U bëj thirrje qytetarëve të Lezhës të votojnë. Është dita e tyre. Lezha i ka kaluar me sukses çdo proces zgjedhor”, tha Ndreu.
Qarku i Lezhës zgjedh 7 deputetë në Kuvend, ku 2 kandidatë janë në listën e mbyllur dhe 7 të tjerë në listën e hapur.
Votohet në qarkun e Vlorës/ Mungesë komisionerësh dhe probleme me identifikimin elektronik! Në paraburgim nis votimi pas 3 orësh
Po vijon normalisht procesi i votimit edhe në qarkun e Vlorës. Vetëm në disa qendra votimi raportohen problematika, pasi ka mungesë komisionerësh, si edhe probleme me pajisjen e identifikimit elektronik. Një qendër votimi nuk është hapur, për shkak se kryetari i Komisionit ka humbur mamanë ditën e sotme. Për shkak të mungesë së sekretarit, votimi në paraburgimin e Vlorës ka nisur pas 3 orësh.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha ka votuar mëngjesin e sotëm në Qendrën e Votimit nr.4471. Dredha u bëri thirrje qytetarëve të dalin sa më herët në votime, pasi në Vlorë do të zhvillohet sot edhe eventi sportiv Giro d’Italia, dhe disa akse do të bllokohen për këtë arsye.
Ndërkohë Fredi Beleri ka votuar në shkollën 9-vjecare ‘Pano Nikolla’, Himarës. Pas votimit Beleri është shprehur se cdo gjë po shkon shumë qetë.
“I ftoj të gjithë qytetarët të shkojnë në votime. Votimi në gjithë botën është festë e demokracisë”, u shpreh Beleri.
Në 2 qendra votimi në bashkinë Finiq: Kardhikaq dhe Gravë, nuk u tërhoqën materialet zgjedhore dhe si pasojë procesi i votimit nisi me vonesë. Në KZAZ 92 në Finiq, po shkoi oficeri i policisë gjyqësore për të marrë në dorëzim materialet dhe të referoje ngjarjen për ndjekje penale për komisionerët që nuk u paraqitën. Komisionerët në fshatrat Grave dhe Kardhikaq u ndryshuan. Materialet zgjedhore u tërhoqën dhe nisi procesi i votimit.
Votohet në qarkun e Durrësit/ Vijon procesi edhe në dy qendrat e votimit ku u hasën probleme me identifikimin elektronik
Në qarkun e Durrësit po vijohet normalisht me procesin e votimit. Ky qark nxjerr 14 mandate, 5 në listën e mbyllur dhe 14 në listën e hapur. Ndërkohë ka votuar edhe kryetarja e bashkisë Emiriana Sako.
Pas raportimit në dy qendra votimi në lagjen numër 4, ku nuk funksiononte pajisja për identifikimin elektronik bëhet me dije se problemi i hasur u zgjidh.
Ndërkohë drejtuesi politik i PD në Durrës, Oerd Bylykbashi ka thënë në një prononcim për mediat se kjo është një ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët.
“Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët. Të gjithë shqiptarët të dalin për të votuar për familjet e tyre, pasi vota është e ardhmja e tyre”, tha Bylykbashi.
Në qendrën e votimit 1594 në Pallatin e Kulturës pati një debat mes komisionerëve dhe gazetarëve, të cilët nuk lejuan median të filmojë.
Voton qarku i Elbasanit, një grua kapet duke fotografuar votën, arrestohet! Këshilltari i PSD vonon nisjen e votimit në një qendër
Në qarkun e Elbasanit po vijohet me procesin e votimit. Një grua e cila u kap duke fotografuar votën e saj në qendrën e votimit, 2321 në një shkollë në qytetin e Elbasanit është arrestuar. Fotografimi i votës përbën shkelje të ligjit zgjedhor.
Pasi u ‘kap mat’ qytetarja e identifikuar si Majlinda Cani e justifikoi veten duke thënë e bëri pa dashje.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestua shtetasja M.C. nën akuzë për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’, parashikuar nga neni 327/1 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në një qendër votimi, procesi i votimit nuk nisi në kohë, pasi mungonte një komisioner i PSD-së së Tom Doshit.
Qarku i Elbasanit nxjerr 14 mandate, 5 në listën e mbyllur dhe 14 në listën e hapur.
Votohet edhe në qarkun e Kukësit, procesi vijon pa probleme
Në qarkun e Kukësit po vijon normalisht procesi i votimit. 84.667 qytetarë me të drejtë vote të qarkut Kukës do të zgjedhin tre deputetët që do të përfaqësojnë ketë qark në Kuvendin e Shqipërisë.
Zgjedhjet po zhvillohen të qeta dhe deri në këto momente nuk është raportuar për parregullsi apo incidente. 1 kandidat ndodhet në listën e mbyllur dhe 3 bë listën e hapur.
Po ashtu edhe kreu i KZAZ Uran Cengu është shprehur se procesi i votimit vijon normalisht.
Votohet në Qarkun Fier/ PS: Komisioneri i PD në qendrën e votimit në Topojë është larguar me vulën! Kandidatët demokratë po intimidojnë votuesit! Po i kallëzojmë emër për emër me prova
Në Fier po votohet në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit dhe procesi ka shënuar problematikat e para.
Partia Socialiste e Qarkut Fier, nëpërmjet kandidatës Kiduina Zaka, ka denoncuar shkeljet që po kryhen gjatë procesit të votimit nga komisionerë dhe kandidatë të Partisë Demokratike.
“Ashtu si e kishim paralajmëruar Partia Demokratike në qarkun e Fierit po zbaton një aksion të organizuar për të penguar zhvillimin normal të procesit të votimit. Përfaqësues të kësaj force politike kanë braktisur detyrën në disa raste siç është sekretari i qendrës së votimit 3209/1 në Topojë të Fierit, i cili ka marrë edhe vulën me vete. PS ka bërë kërkesë për zëvendësim të menjëhershëm të sekretarit të qendrës së votimit 3209/1, Jani Sharka. PS edhe njëherë ju bën thirrje të gjithë komisionerëve të PD të mos ju binden urdhrave të drejtuesve të tyre për të shkelur ligjin. Çdo shkelje e ligjit do të denoncohet në organet ligjzbatuese. Ndërkohë që në orët e para të procesit të votimit janë vërejtur kandidatë të PD, që në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor, kanë hyrë në qendrat e votimit. Përmendim këtu kandidatët, Zana Numani, Luljeta Sejko, Luan Baçi, Eduart Sharka, Gentjan Çela, Samena Malenaj dhe Silva Hasaj, të cilët në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor hyjnë në qendrat e votimit duke ushtruar presion mbi komisionerët, ndërkohë që ata kryejnë detyrën sipas parashikimeve ligjore. Të gjitha këto veprime në shkelje të ligjit nga kandidatët e PD, janë referuar pranë KZAZ-ve dhe KQZ-së dhe skuadra juridike e PS të Qarkut Fier po procedon me kallëzime personale për secilin kandidat të PD që hyn në qendrat e votimit në shkelje të kodit, duke bërë presion mbi komisionerët dhe zgjedhësit në përgjithësi. Të gjitha këto aksione janë të vërtetuara me pamje filmike dhe fotografi. PS e Qarkut Fier kërkon nga kandidatët e të gjitha forcave politike, të respektojnë përcaktimet dhe të mos afrohen pranë qendrave të votimit më shumë se 150 metra. PS është e angazhuar me të gjitha strukturat e saj në respekt të plotë të Kodit Zgjedhor për të siguruar një process të qetë dhe të rregullt votimit”,- tha Zaka.