Shqipëria dhe Kosova do kërkojnë një biletë për në fazën finale të Kupës së Botës 2026, por nga zona play-off. Të dyja skuadrat i mbyllën grupet respektive në vendin e dytë. Zyrtarisht Shqipëria dhe Kosova do jenë në vazon tre të play-off-it të Kupës së Botës 2026, duke shmangur një përballje mes tyre në gjysmëfinale, por ndeshjet do i zhvillojnë në transfertë.
Faza play-off e Kupës së Botës 2026 ka filluar të bëhet më e qartë. Më 19 nëntor FIFA do shpallë edhe renditjen zyrtare, nga e cila do vendoset edhe ndarja e 16 skuadrave në katër vazot përkatëse të fazës play-off, megjithëse ndryshimet do jenë minimale.
Më 20 nëntor në Nyon të Zvicrës duke nisur nga ora 13:00 do hidhet edhe shorti për të mësuar ndeshjet gjysmëfinale të play-off, të cilat do luhen më 26 mars.
Si funskionon play-off
12 skuadrat e renditura të dytat nga grupet kualifikuese të zonës UEFA dhe 4 skuadrat më të mira nga Liga e Kombeve do bashkohen në një short. 16 skuadrat do ndahen në katër vazo (1,2,3,4) sipas renditjes në FIFA, që do të thotë se gjithçka është e hapur deri në ndeshjen e fundit kualifikuese.
Ekipi i Sylvinhos ndodhet në vazon e tretë (3) në shortin play-off së bashku me Kosovën dhe kanë rivalë ekipe si Skocia, Çekia, Uellsi apo edhe Sllovakia.
UEFA ka vendosur që ekipet e vazos 1 të përballen me ato të vazos 4 (ekipet që vijnë nga Liga e Kombeve). Ndërsa ekipet e vazos 2 do përballen me ato të vazos 3. Në këtë fazë UEFA i jep përparësi ekipeve me koeficient më të lartë në renditjen mujore të FIFA-s dhe për rrjedhojë skuadrat e vazos 1 dhe ato të vazos 2 do i zhvillojnë ndeshjet në shtëpi.
Duelet gjysmëfinale do jenë me një takim dhe nëse gjatë 90 minutave nuk ka fitues, ndeshjet shkojnë në shtesë dhe më pas me penallti.
Fituesit që do dalin nga këto çifte (8 skuadra), do përballen në finalet me një takim sipas një shorti që veç rivalëve, vendos edhe vendin e zhvillimit të ndeshjes, pa preferenca nga koeficienti. Këtu futen në lojë të teta skuadrat (nëse kualifikohet edhe Shqipëria).
Pra në rastin më të mirë Shqipëria do ketë edhe dy takime në play-off e Kupës së Botës. Në rastin më të keq, do luajë vetëm një duel. Gjysmëfinalet play-off luhen më 26 mars, ndërsa ato finale më 31 mars 2026.
Ndarja momentale e vazove të shortit play-off:
Vazo 1: Itali, Turqi, Poloni, Ukrainë
Vazo 2: Skoci, Çeki, Sllovaki, Uells
Vazo 3: Irlandë, Bosnjë Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë
Vazo 4: Maqedoni e Veriut, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut