Qytetarët dhe bizneset po kursejnë më shumë këtë vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e depozitave në fund të muajit qershor arriti në rreth 13.8 miliardë euro, me rritje prej 867 milionë euro krahasuar me qershorin e 2024-ës.
Ndryshe nga vitet e kaluara, gjatë këtij gjashtëmujori të parë është vërejtur zhvendosje e kursimeve nga valuta në lekë.Shifrat tregojnë se në fund të qershorit kursimet në lekë ishin 6.5 miliardë euro, me rritje prej gati 637 milionë euro krahasuar me vjet. Ndërsa depozitat në valutë kanë pasur rritje 2.7 herë më të ngadaltë se ato në lekë.
Konkretisht nëpër banka janë 7.3 miliardë euro kursime në monedhë të huaj euro dhe dollarë, me rritje prej 230 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Mbajtja e depozitave në lekë është më e sigurt gjatë viteve të fundit, kjo pasi nuk ekspozohen ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, siç ndodh me kursimet në monedhë të huaj.
Për këtë arsye, paratë po mbyllen në banka më shumë në lekë, pasi dobësimi i euros dhe dollarit i ka dëmtuar qytetarët dhe bizneset që i kishin kursimet e tyre në këto monedha.
Depozitat e mbajtura në euro apo dollarë e humbasin vlerën kur këmbehen me lekun.
Nëse një individ tërheq 10 mijë euro kursime në monedhën evropiane, dhe i konverton në lekë, ai do të marrë pas vetëm 9700 euro, kurse 300 euro janë humbje prej zhvlerësimit të euros përball lekut. E njëjta gjë me të gjithë ata që kanë kursime në një llogari në valutë të huaj.