Kjo masë e përkohshme përfundon më 8 gusht 2025, ndërsa njoftimi për të është dhënë më 24 korrik 2025.
Vendimi për vendosjen e masës së përkohshme është marrë pas kërkesave të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Para këtij vendimi, më 22 korrik 2025, edhe Presidentja Vjosa Osmani, kishte dorëzuar një kërkesë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, të cilën e tërhoqi më 5 gusht 2025.
Tërheqja e kërkesës nga Presidentja
Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media më 05.08.2025 ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën nga Gjykata, pasi kjo gjykatë ka vendosur si gjyqtar raportues Radomir Llabanin, për të cilin ajo ka thënë se që nga viti 2018 ka informata se ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.
Osmani ka thënë se sipas informatave që ka pranuar nga institucionet e sigurisë, gjyqtari Llaban, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Në përputhje me Ligjin per Gjykatën Kushtetuese, kam tërhequr kërkesën të paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021, 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare” – ka thënë Osmani më 05.08.2025.
“Rasti që kam adresuar në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë pikërisht me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ka të bëjë me çështje të tjera, siç është funksionimi demokratik i institucioneve. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka diskrecion të plotë të vendosë se cili rast t’i caktohet cilit gjyqtar. Kërkesa jonë ka të bëjë me çështje thelbësore të rendit kushtetues, prandaj është shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet tona të sigurisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se e rrezikon shtetin tonë, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues” – ka deklaruar Osmani para gazetarëve.
Osmani nuk ka dhënë detaje konkrete për veprimet e pretenduara të gjyqtarit Llaban, por ka thënë se informatat për veprimtarinë e tij janë dorëzuar në vitin 2018, 2021 dhe 2024, nga udhëheqës të ndryshëm të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
“Kjo nuk ka të bëjë me vlerësimet apo perceptimet e mia si presidente e Republikës, por ka të bëjë me informata zyrtare të institucioneve tona të sigurisë që i kanë dorëzuar para institucioneve të tjera tri herë radhazi. Njëherë i kanë dorëzuar në vitin 2018, njëherë në vitin 2021 dhe në vitin 2024, nga tre udhëheqës të ndryshëm të institucioneve të sigurisë” – ka thënë ajo.
Për këtë çështje ka folur edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti më 06.08.2025.
Kurti tha se Vetëvendosje që nga viti 2018 kanë qenë të informuar në lidhje me pretendimet ndaj gjyqtarit Llaban, por sipas tij, presidenti i atëhershëm [Hashim Thaçi] dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme [Arta Rama-Hajrizi], nuk e kishin parë të arsyeshme, “të ndaloninë procesin e zgjedhjes së Llabanit si anëtar i Gjykatës”.
“Deputetja jonë Albulena Haxhiu, në emër të grupit parlamentar- asokohe kur ishim në opozitë- i pat shkruar letër Zyrës së Presidentit, mirëpo fatkeqësisht as presidenti i atëhershëm në vitin 2018, e as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme, pra në vitin 2018, nuk e kanë parë të arsyeshme që ta ndalin një proces të tillë, sepse është absurde që dikush i cili sipas informacioneve që kemi nga institucionet tona të sigurisë, është i papërshtatshëm e me rrezik për rendin tonë kushtetues, tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese” – tha Kurti.
Për tërheqjen e kërkesës nga Presidentja dhe deklaratat e saj për gjyqtarin Llaban, ka dal me sqarim publik vet Gjykata Kushteutese.
Kushtetuesja ka shpjeguar se ndarja e lëndëve bëhet në bazë të rregullave procedurale, të cilat i “respekton me përpikëri”.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës” – thuhet mes tjerash në njoftimin e GjK-së, më 06.08.2025.
Për gjyqtarin Llaban, Gjykata ka konfirmuar se ai ka qenë i punësuar aty që nga viti 2011 në pozitën e Këshilltar juridik dhe që nga 09.08.2018 është gjyqtar.
“Pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë” – thuhet tutje në njoftim.
Gjykata tutje shton se ajo është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës” – përfundon Gjykata.
Mungesa e konstituimit deri më 26.07.2025 dhe vendimi për masën e përkohshme
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për herë të fundit u mblodhën në seancë konstituive më 26.07.2025 në ora 22:00.
Vazhdimi i 54-të i seancës konstituive përfundoi pa sukses dhe rrjedhimisht hyri në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Në atë vazhdim, nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari doli në votim Komisioni për votim të fshehtë i cili ishte propozuar vazhdimisht që nga 01.05.2025.
As në vazhdimin e fundit, ky komision nuk mori votat e mjaftueshme që të kaloj, rrjedhimisht Dehari konstatoi se nuk ka kuorum dhe ndërpreu seancën konstituive deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Seanca konstituive kishte filluar më 15.04.2025.
Kushtetuesja ka vendosur ex officio masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, krahas kërkesave të dorëzuara nga PDK dhe LDK. Me këtë vendim të datës 24.07.2025, në rast se nuk arrihet të konstituohet Kuvendi sikur është paraparë në afatin e mëparshëm të dhënë nga kjo Gjykatë (26 korrik), Kushtetuesja ua ndalon deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar gjashtë herë Albulena Haxhiun për Kryekuvendare. Asnjëherë Haxhiu nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.
Seanca konstituive mbeti në pikën e tretë të rendit të ditës- zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Dy pikat e para të rendit të ditës ishin votimi i raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe betimi i deputetëve.
Seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës, e katërta është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Kërkesa e Presidentes Vjosa Osmani
Presidentja Vjosa Osmani më 22.07.2025 i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit.
Kjo kërkesë, sipas saj, kishte karakter preventiv të pasojave juridike, nëse nuk do të konstituohej Kuvendi deri më 26 korrik (ashtu siç edhe ndodhi), në frymën e aktgjykimit kushtetues.
“Kjo është një situatë e paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku përkundër Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm (30 ditësh), e që kanë mbetur edhe pak ditë (deri në skadim), dhe ende nuk shihet një konsensus për konstituimin e Kuvendit.” – pati deklaruar Osmani para mediave më 22.07.2025.
E para e vendit kishte thënë se Kërkesa mund të tërhiqet, nëse ndodh diçka deri më 26 korrik.
“Kërkesa e dërguar nuk e paragjykon epilogun në vazhdimin e afatit të mbetur prej 4 ditësh. Në rast se ka sukses në konstituimin e Kuvendit deri me këtë afat, ne mund ta tërheqim Kërkesën.” – kishte shpjeguar ajo.
“Bashkë me këtë Kërkesë kemi dërguar edhe Kërkesën për masë të përkohshme, që të mos rrjedhë afati 30 ditësh.” – ka deklaruar Osmani, më 22.07.2025.
Presidentja kishte thënë se për nga fuqia juridike Aktgjykimet janë të barabarta me Kushtetutën.
Kërkesa e dorëzuar në Gjykatë nga Lidhje Demokratike e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 04.07.2025 ka dorëzuar lëndë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë në lidhje me votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, ndryshimin e rendit të ditës, sipas tyre në kundërshtim me rendin e ditës për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Lënda është dorëzuar nga deputetët Hykmete Bajrami dhe Armend Zemaj, si dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj.
“Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që këtë rast ta trajtojë sa më shpejt në mënyrë që të kthehet normaliteti në vend dhe të formohen institucionet. Në këtë mënyrë i jepet mundësia çdo deputeti që të votojë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”- tha Manaj pas dorëzimit.
Manaj pretendoi se Kushtetuta është shkelur edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses dhe njëra ndër pikat e lëndës ka qenë që të mos shkelet më rendi i ditës nga kryesuesi Avni Dehari.
Ai tha se Rregullorja e Punës e Kuvendit e ka të përcaktuar qartë se procedura nuk mund të ndryshojë dhe se duhet të vazhdojë votimi i hapur të konstituohet Kuvendit, të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit
Kërkesa e dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 03.07.2025 ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, sipas PDK-së, konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij Komisioni; vetë votimin e Komisionit; dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”- ka shkruar PDK.
Kjo parti përmes kësaj kërkese ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë; të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive; dhe të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.
“Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën”- shkruante në komunikatën e PDK-së.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26.06.2025
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në lidhje me seancën konsituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka marrë vendim më 26.06.2025, se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Kushtetuesja e kishte refuzuar kërkesën për masë të përkohshme në lidhje me kërkesën për votim të fshehtë.
Aktgjykimi më tej sqaron se struktura e normave kushtetuese, dhe posaçërisht ajo që ndërlidhet me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetësojë dhe jo të bllokojë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre.
Ashtu si theksonte më tej Kushteturja, e drejta për të propozuar kryetarin/en e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14 si dhe propozimi i kandidatit për kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Dhe siç theksonte më tej Kushteuesja, si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm.
“Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe se detyrimi për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim, që buron nga vetë neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] i Kushtetutës, njëkohësisht ndërlidhet ngushtë edhe me detyrimin e përcaktuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, sipas të cilit, deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit”- thuhej në njoftim.
Një detyrim i tillë, thuhet se vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar po ashtu zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
“Është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”- thuhej në aktgjykimin e Kushtetueses.
Këtë aktgjykim Kushteutesja e mori pas kërkesës së dorëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kërkesa e dorëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës ishte dorëzuar për herë të parë në Kushtetuese nga shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, më 12.05.2025.
“Raporti është hartuar nga ekspertë të AAK-së dhe kërkuam që kjo çështje të trajtohet me prioritet. Konsiderojmë se është shkelje ligjore. Po zhvleftësohet edhe Kuvendi dhe konsiderojmë që po shkelet edhe Kushtetuta. I lutëm akterët që ta trajtojnë me prioritet, ndoshta edhe me masë të përkohshme që të ndalohet mbajtja e seancave derisa Gjykata ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një Vendim.” – kishte deklaruar Kadrijaj para mediave.
Pas dorëzimit të lëndës në Kushtetuese kishte reaguar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka konsideruar se “loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet” dhe “seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë shtetërore”.
“Dëmet nga bllokada që po i bëhet konstituimit të Kuvendit ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës.” – kishte shkruar Haradinaj.
Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025: me 9 vota për dhe 2 kundër në mbledhjen e së enjtes, më 27.03.2025.
Sipas këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 vende në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.
Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë. Dy deputetë i ka Kosova Demokratik Turk Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.