Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se Ministeriali Ukrainë–Evropa Juglindore, i cili ishte parashikuar të mbahej më 12 qershor në Tiranë, është shtyrë për një datë të mëvonshme.
Në njoftimin zyrtar, ministria shpjegon se vendimi për shtyrjen e aktivitetit lidhet me zhvillimet e fundit të sigurisë në Ukrainë, si edhe me angazhimet që rrjedhin nga kjo situatë për ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili është bashkëorganizator i këtij ministeriali.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon se Ministeriali Ukrainë-Evropa Juglindore, i planifikuar që të zhvillohej më 12 qershor 2026 në Tiranë, do të mbahet në një datë të mëvonshme.”
Sipas ministrisë, arsyeja kryesore e shtyrjes është situata e sigurisë në Ukrainë dhe detyrimet institucionale të ministrit ukrainas të Jashtëm.
“Shtyrja e këtij takimi në nivel të ministrave të punëve të jashtme vjen si pasojë e situatës së sigurisë në Ukrainë dhe e angazhimeve në këtë kuadër, të Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, z. Andrii Sybiha, bashkëorganizator i Ministerialit të Tiranës.”
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se data e re e organizimit të takimit do të shpallet në një moment të mëvonshëm.
“Data e re e zhvillimit të Ministerialit do të bëhet e ditur në një moment të dytë.”