Seanca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës ndaj të akuzuarve që ishin deputetë në atë kohë, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Pal Lekaj, Besa Baftiu është shtyrë për një datë tjetër.
Shtyrjen e seancës së sotme për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës e ka konfirmuar edhe avokati i Pal Lekaj, Musa Damati i cili tha se përmes telefonit janë njoftuar se seanca nuk mbahet sot.
Ai theksoi se për këtë çështje gjyqësore deri në fund të vitit do të arrij parashkrimi i saj.
Siç mëson KosovaPress ish-deputetja, Besa Baftiu ka bërë kërkesë për shtyrje të seancës për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.
Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të 2016-tës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kështu duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Gazi lotsjellës në Kuvend, Haxhiu, Kadaj e Lekaj sot dalin para Gjykatës
Sot, me fillim nga ora 09:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Të akuzuar në këtë rast janë ish-deputetët Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Pal Lekaj, të cilët përballen me akuza lidhur me një incident të ndodhur gjatë kohës sa ushtronin funksionin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.
Ata akuzohen se në shkurt të vitit 2016 kanë futur bombola me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës – duke kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Pal Lekajn, Donika Kadaj-Bujupin dhe Besa Baftiun, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo Prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.
Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Seanca pritet të zhvillohet në prezencë të palëve dhe përfaqësuesve të mbrojtjes.