Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, analisti dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare Janusz Bugajaski.
Lajmi u bë i ditur nga ish-drejtori i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, i cili shprehu hidhërim të thellë për humbjen e mikut dhe kolegut të tij të ngushtë.
“Jam i tronditur dhe thellësisht i trishtuar kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë, Janusz Bugajski. Ai ishte një analist i shkëlqyer i çështjeve euroaziatike, autor i shumë veprave që ndikuan ndjeshëm në kuptimin tonë të rajonit dhe një mbrojtës i vendosur i demokracisë, qeverisjes së mirë dhe lirisë së shtypit “, shkroi Biberaj.
Biberaj kujton të gjitha vitet e bashkëpunimi me Bugajskin në projekte të ndryshme, veçanërisht ato që lidhen me Ballkanin.
“Gjatë viteve, kemi punuar së bashku në shumë projekte, veçanërisht në çështjet e Ballkanit. Fillova ta admiroja jo vetëm për intelektin e tij, por edhe për integritetin, humorin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave që ai i vlerësonte shumë. Mungesa e tij do të ndihet thellë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta njihnim dhe të punonim me të. Do të më mungojë jashtëzakonisht shumë. U prehsh në paqe, Janusz”, ka shkruar Biberaj.
Bugajski ka qenë autor i një sërë librash dhe analizash mbi politikën ndërkombëtare, me fokus të veçantë në zhvillimet në Ballkan, NATO dhe marrëdhëniet transatlantike.
Ai u lind më 23 shtator 1954, në Nantwich, Cheshire, Angli. Në vitin 1986 emigroi në Shtetet e Bashkuara. Në 1977, mori një diplomë Bachelor me nderime nga Universiteti i Kentit në Canterbury në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në vitin 1981, mori një diplomë Master në antropologji sociale nga Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.
Nga viti 1981 deri në 1983, Bugajski punoi si konsulent për çështjet polake për BBC Television në Londër. Nga viti 1984 deri në vitin 1985, ai shërbeu si Analist i Lartë i Kërkimeve në Radion Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL) në Mynih , Gjermani. Në vitin 1986, ai u bashkua me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, ku themeloi departamentin e qendrës për Evropën Lindore. Bugajski mbajti pozicionin e drejtorit të asociuar nga viti 1986 deri në vitin 1993 dhe u bë drejtor në vitin 1993 për Studimet e Evropës Lindore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.