Është ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo. Regjisori do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë (11 qershor), në orën 16:00, dhe do të prehet në varrezat e Sharrës. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët përmes rrjeteve sociale.
Njëra nga vajzat e tij, Alba teksa ka ndarë një foto krah të atit, ka bërë me dije se ai luftoi me sëmundjen më të rëndë të shekullit por nuk arriti që ta mposhtë.
‘I shtrenjti im që jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk të thërrisja mbret.’, shkruan e bija teksa thotë se është krenare dhe mirënjohëse për atë që i ka mësuar e dhuruar.
“Sot më duhet të bëj gjënë më të rëndë të jetës time. Të të them ty mirupafshim përjetësisht. E kujt? Atij që desha më shumë në dynja, atij që më mësoi çdo gjë, atij që më falte çdo gjë, atij që i besoja çdo gjë. I shtrenjti im që jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk të thërrisja mbret. Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe! U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im. Krenare gjithmonë pafundësisht për ty, mirënjohëse përulësisht për çdo gjë që më mësove dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria më e madhe në dynja. Njerëzit e mëdhenj jetojnë ashtu siç jetove ti! E deshe dhe e respektove jetën ashtu siç vetëm ti dije. Lamtumirë deri sa të takohemi siç vetëm ne të dy dinim. Ah sa të dua i vogli im! U prehsh në paqe bashkë me engjëjt, engjëlli im”, shkroi Alba Bungo në një postim në Instagram.
Leka Bungo ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Bungo ka shkruar drama dhe skenarë filmash, ndër më të njohurit “Pabesia”, “Pas fasadës”, si dhe ka interpretuar në film, duke spikatur me rolin e Bardhylës në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).
Kush ishte Leka Bungo?
Leka Bungo lindi në Vlorë më 28 shkurt 1944. U diplomua për aktrim në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë për regji. Pas diplomimit punoi si drejtor në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, dhe në vitin 1971, pas krijimit të Teatrit “Bylis” në Fier, u bë drejtor i tij.
Në vitin 1973, vendosi në skenë dramën “Historia e një vajze” të Dushës, por kjo shfaqje rezulton të jetë një ngjarje e trishtuar në jetën e tij, pasi nuk u prit mirë nga organet e shtetit të kohës dhe u kritikua për qëndrime liberale në art. Bungo u dërgua në Patos, i dënuar me punë fizike në kuadër të riedukimit. Më pas punoi në Shtëpinë e Kulturës në Patos dhe në vitet ’80 u kthye në Tiranë, ku u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje që prekin probleme të mprehta sociale të kohës, me satirën si element kryesor.
Në ekranin e filmit uu shfaq që në vitin 1966 me “Oshetime në bregdet” dhe shumë vite më vonë (1990) me filmin “Një djalë dhe një vajzë”. Në teatër ai luajti në vitin 1980 në dramën “Pabesia”.
Pas viteve ’90 realizoi disa emisione televizive të gërshetuara me humor politik, duke satirizuar dukuri politike të një regjimi e klase tashmë të përmbysur, por që vijonin të kishin ndikim të fortë mbi realitetin e ri postkomunist në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt e humbi destinacionin artistik dhe u mbyll në vitin 2001 me rikonstruksionin e hollit të këtij teatri.
Leka Bungo ka shkruar gjithashtu skenarin e disa filmave dhe telekomedive si:
“Tre njerëz me gunë” (1985);
“Mirela” (1988);
“Gjuetia e fundit” (1991);
“Pas fasadës” (1992);
“Çarli Çaplini në Shqipëri”.
Në vitin 1998 ai bashkëthemeloi një stacion televiziv privat, ku punoi si drejtor. Në vitin 2001 u zgjodh anëtar i Bordit Drejtues të RTSH. Është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Fierit”. Pas vitit 2002 emigroi në Bronx, New York, SHBA. Më pas u rikthye në Shqipëri.
Lajm në përditësim…