Kombëtarja shqiptare e futbollit sot ka pësuar një goditje të madhe për imazhin e saj, teksa një lojtar i cili prej tre vitesh ishte pjesë e grupit kuqezi, Adrian Bajrami, ka vendosur të shkojë të Zvicra. Një vendim që ka gjetur të papërgatitur stafin e trajnerit Silvinjo, i cili insistonte prej kohësh se ftonte në ekip vetëm lojtarë që ndjenin 100% fanellën.
Edhe në konferencën e fundit për mediat ai theksoi se ne këtë grumbullim dhe në miqësoren me Gjibraltarin, do i jepte më shumë mundësi lojtarëve si Bajrami që nuk kishin luajtur më shumë me ekipin. Gjë që në fakt nuk kishte ndodhur asnjëherë nën drejtimin e tij, ku futbollisti sa herë ishte grumbulluar, kishte përfunduar në pankinë.
Edhe vetë institucioni i futbollit, jo më larg se një javë më parë në rrjetet sociale publikonte klipe të tij në një kuiz për tifozët me Medon Berishën, duke treguar se askush nuk ka qenë i përgatitur për vendimin e mbrojtësit që ka ardhur si rrufe në qiell të hapur.