Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, mirëpret vendimin e Qeverisë për rritjen e shtesave mujore për lehonat e papunësuara nga 170 në 325.9 euro, por kritikon qeverinë për shpërfilljen e problemeve të sektorit privat.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti kërkesat e Sindikatas i ka në tavolinë dhe asnjëherë nuk është ulur në tavolinë me drejtuesit sindikalë.
“Çdo rritje e shtesave, pagave të cilësdo kategori që vjen deri te kjo, ne në fakt na shkon për shtati. Ne mendojmë që përkrah kësaj ka edhe shumë probleme të tjera të cilat Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte marrë më seriozisht. I kemi veteranët e luftës. Ne kemi bërë apel se edhe vetë paga nga 350 euro që e ka sjellë kryeministri i Kosovës, ai vendim nuk është duke u respektuar. Ne për çdo ditë i njoftojmë opinionin se në cilat vende nuk është duke u respektuar dhe kemi më shumë se pesë muaj që ky vendim i qeverisë nuk po zbatohet “, tha Azemi.
Ai veç moszbatimit të vendimit për pagën minimale 350 euro, vë në dukje mungesën e marrëveshjes kolektive si dhe gjendjen e rëndë të punëtorëve me paga të ulëta dhe të kategorive si veteranët e luftës dhe pensionistët.
“Ne kemi probleme, sepse nuk e kemi marrëveshjen kolektive ende të nënshkruar që nga viti 2017, që është problem prioritar. Qeveria këto vendime që po i merr asnjëherë nuk është duke u konsultuar me aktorët kryesorë dhe është një vendim që e nxjerr pa u pyetur me kënd se sa është kostoja dhe cilat janë problemet e sektorit privat. Ne për çdo vit protestojmë. Kërkesat tona i ka në tavolinë dhe asnjëherë nuk është ulur në tavolinë me ne”, tha ai.
Azemi e cilësoi vendimin si hap me prapavijë politike, duke aluduar në zgjedhjet e mundshme në një ardhme të afërt.
“Ne kemi shumë kategori, ka punëtor që merr 232 euro, përkundër asaj që zyrtarisht është i njoftuar Inspektorati i Punës dhe organet tjera. Nuk reagojnë. Kemi kategorinë e pensionistëve shumë keq, i kemi veteranët e luftës. Kryeministri e dinte që zgjedhjet janë shumë afër dhe e rriti pagën minimale. Ai e ka vërejtur se ndoshta do të kemi zgjedhje parlamentare dhe para se të vijmë te ato ai del dhe rrit pagat, por megjithatë kjo ka një erë puro politike”, tha për EO, Azemi.
Të premten e kaluar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë vendim për rritjen e vlerës mujore të shtesave për gratë lehona të papunësuara, nga 170 euro në 325.9 euro për muaj. Kurse për gratë lehona të punësuara, përveç kompensimit prej 70% të pagës nga punëdhënësi për gjashtë muajt e parë, do të përfitojnë edhe mbështetje financiare për tre muajt pasues, në vlerë prej 319.5 euro në muaj.